Friday, 15. May 2026
Sport

Trepça fiton ndeshjen e tretë, udhëheq ndaj Prishtinës në seri të fitoreve

GS 26/04/2025 2 Min. Lesezeit

Trepça triumfoi në gjysmëfinalen e tretë të “Play-off”-it të ProCredit Superligës ndaj Sigal Prishtinës me shifrat 67:61 (17:22, 23:11, 18:23, 9:5).

‘Xehetarët’ tani janë në epërsi 2:1.

Ndeshja e radhës zhvillohet në kryeqytet, derisa skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.

Mysafirët e nisën ndeshjen shumë më mirë me një seri prej 0:7, kurse kundërpërgjigja e vendasve ishte e shpejt për 12:7, sidoqoftë, bardhekaltrit e fituan çerekun e parë 17:22.

Periudha e dytë në tërësi u takoi mitrovicasve.

Ata ishin më të mirë në mbrojtje e në sulm, duke përmbysur shifrat dhe shkuan në pushim me shtatë pikë epërsi 40:33.

Bardhekaltrit nuk udhëtuan për tu dorëzuar dhe sërish përmbysën shifrat në periodën e tretë, në 40:44, e më pas zhvillohet një lojë mjaft interesante, ku shifrat pas 30 minutash ishin 58:56.

Në dhjetë minutat e fundit u shënuan shumë pak pikë, madje mysafirët për tetë minuta shënuan vetëm një pikë, ndërsa vendasit triumfuan në fund, 67:61.

Te Trepça u dallua Michael Myers Jr me 15 pikë e tetë kërcime, ndërsa te Sigal Prishtina më i miri ishte Donte Clark me 18 pikë, katër kërcime e katër asistime.

Teilen: