Trae Young ka shënuar trepikësh 7.4 sekonda pa përfunduar koha e shtesës, dhe ia siguroi Atlanta Hawksit fitoren 134:132 ndaj Los Angeles Lakersit.
Young ishte edhe më i miri në fitoren e ndeshjes që u zhvillua të premten pas mesnate, me 31 pikë e plot 20 asistime.
De’Andre Hunter i shtoi 26 pikë nga banka rezervë, ndërsa Atlanta e siguroi fitoren e gjashtë rresht.
Ndryshe nga Atlanta, Lakersi e pësoi disfatën e tretë të njëpasnjëshme.
LeBron James shkëlqeu me dyshifror të trefishtë prej 39 pikëve, 11 asistimeve e 10 kërcimeve.
38 pikë i kishte të shënuara Anthony Davis, por që nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën.
Jamesi e pati mundësinë e fundit në ballafaqim, por dështoi të shënonte nga vija për tri pikë.
Kampioni në fuqi, Boston Celtics, e shënoi fitoren e shtatë rresht në shtëpi.
Celtics fitoi ndaj Milwaukee Bucks me rezultatin 111:105.
Jayson Tatum pati 34 pikë e 10 kërcime.
Fitore të premten pas mesnate shënuan edhe Philadelphia 76ers ndaj Orlando Magic, 102:94, ndërsa Minnesota Timberwolves e mposhti Golden State Warriorsin 107:90.
Utah Jazz pas pesë humbjeve të njëpasnjëshme, fitoi 141:99 ndaj Portland Trail Blazers, ndërsa Sacramento Kings fitoi ndaj San Antonio Spursit, 140:113.
Indiana Pacersi e mposhti 132:123 skuadrën Chicago Bulls.