Moment pozitiv për Manchester United. “Djajtë e Kuq” siguruan tri pikë të arta falë suksesit 1-2 në fushën e Aston Villës, duke regjistruar suksesin e tretë radhazi në Premier League.
41 pikë numëron United, 6 larg zonës Champions League. Trajneri Erik ten Hag vlerësoi karakterin dhe mentalitetin e djemve të tij në prononcimin pas ndeshjes, ku ndër të tjera tha:
“Fitore e madhe. Më pëlqeu shumë skuadra, sidomos në 20 minutat e para. Kontrtolluam ndeshjen edhe më pas, por humbëm shumë raste. Kishim disa mundësi të mira në kundërsulm.
Luftuam fort për të marrë tri pikët edhe pasi rezultati u barazua 1-1. Jam i lumtur që arritëm të fitonim këtë përballje me intensitet të lartë. Në minutat e fundit u zhvillua një lojë e hapur nga të dyja skuadrat. Më vjen mirë që kemi rigjetur mentalitetin e duhur. Nevojitet një karakter i fortë për të thyer Aston Villën në fushën e vet. Më pëlqyen edhe lojtarët që erdhën nga pankina”, u shpreh trajneri holandez i United.