Në prag të përballjes vendimtare ndaj Andorrës, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, kapite n i skuadrës kuqezi, u shfaq para medieve me një qëndrim të qartë dhe të vendosur. Mbrojtësi i Atalantës theksoi se ekipi ka udhëtuar me një synim të vetëm, fitoren, që do të mbante gjallë ëndrrën kuqezi për një vend në play-off. Ai foli për sfidën, për rrugëtimin e tij personal, për grupin aktual dhe për mbështetjen e tifozëve që pritet të mbushin stadiumin me atmosferë elektrizuese.
A do ta sulmojmë kundërshtarin?
“Sigurisht që kemi udhëtuar për një qëllim, për të marrë tri pikët, sepse na nevojiten për kualifikueset. Kemi parë ndeshjet që Andorra ka zhvilluar kundër Serbisë dhe Anglisë, por ne do të bëjmë lojën tonë për të fituar. Megjithatë, do ta respektojmë kundërshtarin, sepse do të na krijojë edhe momente të vështira.”
Një ndeshje vendimtare: a e keni menduar këtë moment 10 vite më parë?
“Jam krenar për 200 ndeshjet me Atalantën, por nesër është një ndeshje akoma më e rëndësishme. Do të japim gjithçka për ta fituar, sepse duam të mbajmë gjallë ëndrrën e Botërorit. Po të më kishit pyetur 10 vite më parë, ndoshta nuk do ta kisha besuar, por sot e di që çdo gjë është e arritshme. Pse të mos ia dalim?”
Çfarë ka më shumë kjo Kombëtare në krahasim me atë që u kualifikua në Europian?
“Kemi lojtarë me më shumë cilësi dhe janë bashkuar disa të rinj shumë të talentuar. Prania e tyre e vë në vështirësi trajnerin, jo ekipin, për zgjedhje. Cilësia është rritur në shumë aspekte, por fryma e grupit mbetet e njëjtë si dikur.”
Do të kërkoni edhe golin personal, siç ka ndodhur shumë vite më parë ndaj Armenisë ?
“Nëse më vjen rasti, pse të mos shënoj? Kisha një mundësi kundër Letonisë, por nuk ndodhi. Megjithatë, për mua më e rëndësishme është fitorja, jo kush shënon. Qëllimi ynë është të marrim tri pikët dhe të ecim drejt play-off-it.”
Mesazh për tifozët kuqezi?
“Kur dëgjova se stadiumi do të jetë plot me tifozë kuqezi, kjo na jep një shtysë të jashtëzakonshme. Ne do të japim maksimumin në fushë, ndërsa ata në tribuna. Falënderimi më i madh u shkon atyre, energjia e tyre është arma jonë më e fortë.”


