Një muaj për të ndryshuar gjithçka, një tjetër muaj për të shkruar të ardhmen e vet.Me pesë fitore radhazi, nga 2 shkurti deri më 4 mars, në 30 ditë të plota, Juventusi i ka dhënë një kthesë fatit të tij, duke kaluar nga vendi i gjashtë, -2 nga vendi i katërt që e ndanin Lacio dhe Fiorentina, dhe -16 nga kryesuesi, në vendin e katërt, të vetëm, +2 ndaj Lacios dhe vetëm -6 nga kreu. Tani, në një periudhë të ngjashme kohore (33 ditë) dhe me një ndeshje më pak, skuadra e Motës do të mund të kuptojë, nëse rikuperimi ndaj Interit është i mundur apo do të mbetet vetëm ëndrra e një nate fundvjeshte.
VAZHDIMËSIA- Midis javës 28 dhe 31, bardhezinjtë do të kenë përballë tri ndeshje direkte: një në shtëpi (e para, të dielën në mbrëmje, ndaj Atalantës) dhe dy në transfertë, ndaj Fiorentinës dhe Romës. Midis ndeshjeve të Firences dhe Olimpikos, në “Allianz” do të mbërrijë Xhenoa. Kalendari i Juventusit nuk është aq më i komplikuar se ai i konkurrentëve të tjerë për vendet në Europë, përveç Interit, që do të ketë në rrugën e tij Monzën (në shtëpi), Atalantën (jashtë), Udinezen (në San Siro), Parmën (në Tardini) dhe Romën, që do të përballet me Empolin (në transfertë), Cagliarin (në shtëpi) dhe Leçen (në Via del Mare) përpara se të presë Juventusin në Olimpiko.
Të gjitha ekipet e tjera do të jenë të detyruara të luajnë të paktën dy ndeshje direkte. Napoli do të ketë Fiorentinën dhe Milanin në Maradona dhe Bolonjën në “Dall’Ara” (përveç ndeshjes në shtëpi me Venecian). Atalanta do të ketë të gjitha sfidat e mëdha kundër Juventusit (në transfertë), Interit (në shtëpi), Fiorentinës (jashtë) dhe Lacios (në shtëpi). Lacio do të përballet me Bolonjën dhe Atalantën (të dyja në transfertë), ndërkohë që do të luajë edhe me Udinezen dhe Torinon në shtëpi. Fiorentina ka një kalendar të frikshëm me Napolin (në transfertë), Juventusin (në shtëpi), Atalantën (përsëri në “Franchi”) dhe Milanin (në San Siro). Bolonja ka Lacion dhe Napolin në “Dall’Ara”, të ndërprera nga transfertat në Verona dhe Venecia.
“MBRETËRESHA” E NDESHJEVE DIREKTE- Një arsye për t’u buzëqeshur për Juventusin janë tri aspekte. E para është se, krahasuar me kundërshtarët (përveç Napolit dhe Atalantës), nuk do të ketë angazhime të tjera. Interi është ende i përfshirë në tri kompeticione, Roma, Lacio, Bolonja dhe Fiorentina janë në garë në Europë ose në Kupën e Italisë. E dyta është klasifikimi i fazës së dytë, ku skuadra e Motës është duke ndjekur Romën me një pikë distancë (20 kundër 19), dhe ku ka arritur të rikuperojë 2 pikë nga Interi, 4 nga Lacio dhe Bolonja, 6 nga Atalanta dhe Napoli, dhe madje 9 nga Fiorentina në 8 ndeshje. E treta është rendimenti në përballjet me ekipet e mëdha (8 të parat dhe Milani). Juventusi është i katërti me një mesatare prej 1,45 (16 pikë në 11 ndeshje), pas Napolit (1,77), Atalantës (1,67) dhe Fiorentinës (1,6), por para Bolonjës (1,44), Interit (1,42), Lacios (1,09) dhe Romës (0,7). Dhe duke pasur parasysh se vetëm Inzagi (4) dhe Konte (3) kanë më pak ndeshje të mëdha se Mota (5), nëse rikuperimi i madh duhet të mbetet vetëm një ëndërr e një nate fundvjeshte, për një vend në Champions, Juventus duket të jetë në pozita ideale. Në Torino gjithsesi po ëndërrojnë dhe deri në fund të sezonin gjithçka mund të ndodhë.
PANORAMASPORT.AL