FIFA ka zbuluar zyrtarisht topin zyrtar të Kampionatit Botëror 2026, i cili do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Topi quhet Trionda dhe është krijuar nga Adidas, kompania që prej vitit 1970 është furnizuesi zyrtar i topave për Kupat e Botës.
Emri “Trionda” është një kombinim i fjalëve “Tri” – që përfaqëson tre vendet pritëse – dhe “Onda”, që në spanjisht dhe portugalisht do të thotë “valë”. Kështu, emri simbolizon “tre valë” – një metaforë për bashkëpunimin dhe energjinë që burojnë nga organizimi i përbashkët i turneut.
Çdo panel përmban ngjyrat kombëtare – të kuqe, blu dhe jeshile – të cilat ndërthuren për të formuar një trekëndësh qendror, që simbolizon bashkimin e tre kombeve në organizimin e këtij eventi historik.
Simbolet kombëtare të secilit shtet janë gjithashtu të pranishme:
Një yll për SHBA-në
Një gjethe panje për Kanadanë
Një shqiponjë për Meksikën
Këto janë gdhendur me delikatesë në sipërfaqen mat të topit dhe përforcojnë ndjesinë vizuale dhe teksturën e tij.
Topi është i pajisur me një çip sensorik që transmeton të dhëna në kohë reale drejt sistemit VAR, duke mundësuar vendime më të sakta dhe më të shpejta, veçanërisht në situatat që kërkojnë analiza të detajuara të lëvizjes së topit, si pozicionet jashtë loje (offside) apo prekje me dorë.
Trionda nuk përmban GPS për ndjekjen e trajektores, por është i pajisur me teknologjinë e vijës së portës, për të ndihmuar gjyqtarët të konfirmojnë nëse topi ka kaluar tërësisht vijën fatale./ATVLIVE.TV