Trajneri i Realit të Madridit Karlo Ançeloti ka qenë mjaft i kënaqur pas fitores 3-1 kundër Mançester Sitit që i ka siguruar një vend në 1/8 e finaleve skuadrës që ai drejton. Reali i tij ka dhuruar një tjetër paraqitje mbresëlënëse kundër Sitit, duke e dominuar takimin nga fillimi në fund, diçka që Karleto e ka vlerësuar në konferencën pas takimit.

“Kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë, një paraqitje të kompletuar në çdo drejtim. Jemi futur në fushë me qasjen e duhur, kemi shënuar shpejt dhe më pas kemi administruar gjithçka si duhet. Kemi qenë të ekuilibruar në fushë dhe mendoj se e kemi merituar plotësisht fitoren dhe kualifikimin”, nënvizoi fillimisht Ançeloti.
Trajneri i Realit ka komentuar dhe tri golat e Mbapesë.
“Nuk është vetëm Mbape. Të gjithë ata përpara janë paraqitur shumë, sikurse i gjithë ekipi. Sigurisht që ne presim gola nga Mbape dhe jemi të kënaqur me rendimentin e tij. Kemi sulmuesin më të kompletuar. Sepse nuk po flasim vetëm për golat, por edhe për paraqitjen e tij. Tifozët e duan atë dhe ai po i përgjigjet”, shtoi më tej Karlo Ançeloti.
Trajneri i Realit është ngacmuar edhe në lidhje me shortin, duke mos shfaqur ndonjë preferencë të veçantë, kur dihet se një nga rivalët mund të jetë Atletiko e Madridit.
PANORAMASPORT.AL