Thomas Tuchel ka regjistruar një arritje të pazakontë në krye të “Tre Luanëve”.
Ai është tekniku i parë i Anglisë që fiton pesë ndeshjet e para zyrtare me përfaqësuesen angleze, pa pësuar asnjë gol në portën e vet.
Kujtojmë që Anglia mposhti radhazi Shqipërinë (2-0), Letoninë (3-0), Andorrën dy herë (1-0 e 2-0) dhe Serbinë (5-0) në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Ndërkaq, vetë trajneri gjerman i anglezëve deklaroi se fitorja shkatërruese 5-0 ndaj Serbisë ishte punë e skuadrës dhe një paraqitje shumë, shumë e mirë, por jo perfekte.
Suksesi i Anglisë kundër Serbisë i çon “Tre Luanët” në një epërsi prej 7 pikësh në Grupin K kundrejt Shqipërisë së vendit të dytë, me tre ndeshje të mbetura ende në kualifikueset e Kupës së Botës që zhvillohet vitin e ardhshëm në Amerikë, Kanada dhe Meksikë.
“Do të thoja se jam i lumtur për lojtarët që arritën t’u tregojnë tifozëve në stadium si dhe tifozëve tanë në shtëpi, se çfarë janë të aftë të bëjnë. Mbi të gjitha, lojtarët treguan sesi funksionojnë së bashku nëse luajnë si skuadër. Kjo është ajo për të cilën jam më i lumtur dhe ishte një paraqitje shumë e mirë me një rezultat perfekt”, theksoi specialisti gjerman, i cili e mori drejtimin e Anglisë më 16 tetor 2024 mes skeptizimit, përderisa nuk kishte marrë asnjëherë drejtimin e një kombëtareje.