Nuk mund të quhet një zgjedhje e plotë, por Igor Tudor ka vendosur që, kundër Monzës, të ngarkohet me përgjegjësinë e rikthimit në zonën Champions dhe të hedhë pas krahëve humbjen në Parma, duke ia besuar këtë mundësi Randal Kolo Muanisë.
Ky i fundit ka kaluar nga fjalët e mira të fillimeve të tij nën drejtimin e Tiago Motës, në një periudhë zhgënjyese, ku është parë gjithnjë e më shumë në pankinën e rezervave që nga ardhja e trajnerit të ri. Përjashtimi i vetëm ka qenë pikërisht ndeshja në “Tardini”, kur trajneri kroat ka eksperimentuar, pa rezultate të dukshme, me një çift sulmues Vlahoviç-Muani (shtatë gola të dy për këtë sezon), por të dy kanë zhgënjyer, ndërsa Vlahoviç, për më tepër, është detyruar të humbasë ndeshjen për shkak të një problemi muskulor në kofshën e djathtë, i cili do ta mbajë jashtë fushës edhe për ndeshjen e ardhshme kundër Bolonjës, një takim ky që është vendimtar për fatin e Championsit.
MUNDËSIA- Megjithatë, Kolo Muani ka mundësinë e tij për të treguar veten sërish. E filloi me pesë gola në tri ndeshjet e para me Juventusin, por që prej 7 shkurtit, kur shënoi një dygolësh ndaj Komos, ai nuk e ka nuhatur golin për nëntë ndeshje të tjera, duke regjistruar vetëm një asist. Një periudhë e gjatë mungese, ku edhe Vlahoviç ka marrë më shumë besim nga trajneri. Kundër Monzës, ai ka mundësinë të rikthehet në formë, për të rikthyer gjithashtu shpresat e skuadrës për të arritur Champions-in.
FORMACIONI- Për të përkrahur Kolo Muaninë, pritet të jenë Jildiz dhe njëri nga Konseisao ose Niko Gonzalez. Kopmeiners vazhdon të stërvitet veçmas dhe pritet të jetë jashtë edhe për këtë ndeshje, ndërsa Adziç do të jetë i pranishëm në pankinë, për shkak të mungesave të shumta. Përveç ndërrimeve në sulm, pritet të mos ketë ndryshime të mëdha në formacionin e mbrojtjes dhe mesfushës, me Kalulu, Veiga dhe Keli përpara portierit Di Gregorio.
Lokateli dhe Turam si mesfushorë qendre dhe Ueah e Mekeni në krahë. Pas humbjes së papritur në Parma, rikthimi te fitorja është i detyrueshëm për Juventusin, për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në Champions. Monza do të tregojë nëse ajo humbje ishte një thyerje e vogël apo fillimi i një krize të re për “Zonjën e Vjetër”.
PANORAMASPORT.AL