Pas festës së Pashkëve, është koha për ndeshjen e radhës për Juventusin që kërkon të arrijë zonën Champions. Pengesa e radhës është Parma, e cila e pret sot në shtëpi në orën 20:45. Në prag të kësaj sfide, ka dhënë konferencën për shtyp trajneri Igor Tudor, i cili beson te një rezultat pozitiv, pavarësisht faktit se për të është një ndeshje e vështirë.Si ka qenë java dhe situata me dëmtimet?
Ne kemi punuar mirë, ka qenë një javë e gjatë dhe e kemi shfrytëzuar maksimalisht për të punuar. Kemi pasur disa probleme me Jildiz për shkak të një goditjeje, por ka punuar me ne dhe do të shohim. Edhe Kopmeiners ka pasur një dhimbje në tendinë. Mbangula dhe Gati janë jashtë, bashkë me të tjerët.
Pa Kopmeiners dhe Jildiz, ka një plan B?
Nuk ka një plan A apo B, zgjedhim kush është në gjendjen më të mirë dhe kam punuar mbi të gjitha mundësitë për të përballuar një skuadër që po bën mirë, ka barazuar me Interin dhe me Fiorentinën. Presim një ndeshje të vështirë.
Goditjet e dënimit me pak gola të shënuar, por shumë të pësuar. Po punoni për t’u përmirësuar?
Sigurisht, po punojmë, edhe pse na mungojnë disa karakteristika si centimetra dhe pesha specifike, përvoja. Na mungon edhe dinakëria, që mund t’i mungojë skuadrës. Duhet të mundohemi të rritemi shpejt, ekziston dëshira dhe djemtë e dinë çfarë duhet të bëjnë për t’u përmirësuar.
Një siguri është Vlahoviç, por është pa gol. Si e sheh atë?
Punojmë dhe flasim çdo ditë për të qenë gjithmonë brenda në ndeshje, çfarëdo që të ndodhë. Ai mëson dhe përpiqet të japë gjithçka, më pëlqen dhe i pëlqen grupit ajo që ka bërë, është një lojtar i kompletuar. Ai e do golin dhe me kalimin e kohës do të vijnë.
I kënaqur me përvetësimin e ideve në fazën mbrojtëse?
Po rritemi dhe po rrisim intensitetin për të mbrojtur dhe për të rikuperuar topin. Duhet të përmirësohemi në goditjet standarde, por ekziston dëshira për të qenë agresivë dhe kompaktë.
Niko Gonzalez i rikthyer, si e sheh dhe si po rritet?
Kam gjetur një djalë pozitiv dhe me dëshirë, i pëlqen të jetë pjesë e grupit. Mentaliteti argjentinas është gjithmonë i veçantë në mënyrë pozitive, është gjithmonë në dispozicion dhe mund të luajë në 2-3 role, pa bërë probleme. Mund të rritet në shumë aspekte, është bukur të kesh një lojtar të tillë në grup.
Ka një lidhje mes atyre që hynë keq në Leçe dhe që kanë një të ardhme të pasigurt?
Është normale, nuk ka asgjë të ekzagjeruar sepse një lojtar e kupton zgjedhjen. Duhet të përmirësohemi, 5 zëvendësime janë shumë dhe të rëndësishme. I kam parë djemtë të vetëdijshëm dhe me dëshirë për t’u përmirësuar.
E sheh veten trajner të Juventusit apo kalimtar?
Përgjigjem si gjithmonë, “kalimtar” është një fjalë e shëmtuar. Në 10-15 vite që jam në Itali, të shohësh fjalë të tilla, më jep ndjesi jo të mira. Kur vjen, stërvit dhe je trajner. Jeta mund të ndryshojë në 3-4 ndeshje, edhe nëse ke kontratë. Trajneri është gjithmonë vetëm dhe jeton ditë pas dite, ndeshje pas ndeshjeje. Pa planifikim dhe pa të ardhme, sepse e ardhmja ndërtohet sot. Kështu jetoj unë, nga e kaluara mësohet, e ardhmja nuk të jep asgjë përveç ankthit. Duhet të përgatitesh mirë, sepse, kur luan kështu, jep maksimumin. Kjo ka rëndësi, pjesa tjetër nuk vlen asgjë.
PANORAMASPORT.AL