Deklan Rajs dhe Aurelië Çuameni ishin emra të padëgjuar në “strehën” e Bajernit përpara se të vinte në pozitën e trajnerit Tomas Tuhel.
Përfshirja e personazheve të mësipërme ka shkaktuar jo pak tensione në gjirin e bavarezëve. Fillimisht për Rajsin, Hënesin e pengoi trajneri 49-vjeçar në avancimin e bisedimeve e ku Uest Hemi nuk lëshoi pe nga pretendimet absurde rreth gamës së kufizuar të 23-vjeçarit në radhët e ekipit ku aktivizohej.
Si përfundim, Arsenali e bëri pronë të tij Rajsin, ndërsa prononcimi i parë për shtyp vuri në dukje se pezmatimi i Tuhelit mbi mundësinë e humbur për të nënshkruar me “regjisorin” e përfaqësueses angleze ishte ende “plagë” e freskët, e cekur me frazat se “Bajernit i mungon repertori i Deklanit”. Megjithatë, vozitja e ish-trajnerit të Dortmundit në periudhën 2015-2017 nuk është ndalur me kaq. Para disa ditësh u tha se kampionët e Gjermanisë ishin të gatshëm të shpenzonin deri në 100 milionë euro në hipotekimin e Aurelië Çuamenit nga kampi i Realit.
“SPORT 1” ka shkuar më tej, se bordi duket se po i vjen mbas “avazit” Tuhelit, duke nisur negociatat me agjentin e 23-vjeçarit francez. Rekordmenët e Champions-it verën e shkuar shpenzuan 80 milionë euro në arkat e Monakos, teksa pas vetëm një viti Reali e vlerëson me tepër se 100 milionë euro. Kontrata e nënshkruar me “galaktikët” vijon deri në vitin 2028, por shpresa e vetme për të arritur te mesfushori transalpin gjen shkas tek opsionet e shumta në mesfushën e Karlo Ançelotit.
Luka Modriç, Toni Kros, Fede Valverde, Eduardo Kamavinga, shto dy ardhjet e reja, Xhud Bellingam dhe Brahim Diaz, nuk japin garanci se Çuameni do të jetë titullar në këtë “luftë” brezash. Nga krahu tjetër, Florentino Perez ndodhet në një situatë ku sigurimi i të ardhurave merr trajtë thelbësore në kuadër të planit “Mbape”.
PANORAMASPORT.AL