Që prej datës 24 korrik, në Luginën e Preshevës po zhvillohet një turne i veçantë futbolli për fëmijë, i mbështetur nga FSHF.
Turneu ka hyrë tashmë në ditën e katërt, me ndeshjet për grupmoshën U-13 që do të zhvillohen sot në Preshevë, për të përcaktuar finalistin e kësaj grupmoshe. Deri më tani, janë përcaktuar ekipet finaliste të moshave U-7, U-9 dhe U-11 në Preshevë.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme janë luajtur edhe ndeshjet në Bujanoc për të gjitha grupmoshat, ku janë përcaktuar finalistët për U-7, U-9, U-11 dhe U-13.
Finalet do të luhen nesër, ku përfaqësuesit e secilës grupmoshë do të përballen për të përcaktuar ekipet fituese të këtij turneu. Në ndeshjet finale do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Federatës, Armand Duka.
Ky turne është mbështetur nga Federata Shqiptare e Futbollit, që ka siguruar bazën materiale dhe pajisjet stërvitore për mbi 300 fëmijë, si dhe ka akorduar një fond të veçantë për mbulimin e të gjitha nevojave organizative të turneut.