Kombëtarja e Turqisë do të përballet të martën, në udhëtim, me Kosovën në finalen e “play-off”-it për Kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45 sipas kohës lokale në Prishtinë (21:45 sipas asaj në Turqi).
Për të mbërritur deri në takim, ku sigurohet kualifikimi direkt në Kupën e Botës 2026, dy kombëtaret kaluan nëpër një rrugëtim e garë goxha sfiduese. Turqia në gjysmëfinale mposhti Rumaninë me rezultat 1-0 në Stamboll, ndërsa Kosova fitoi ndaj Sllovakisë me 4-3 në udhëtim.
Nëse “yjet me gjysmëhënë” fitojnë këtë përballje, do të sigurojnë biletën për Kupën e Botës, në të kundërtën, në Amerikë shkojnë “yjet bardhë-blu-verdhë” të Kosovës. Në rast barazimi pas 90 minutave, fituesi do të përcaktohet pas vazhdimeve apo penalltive, shkruan Sabah Spor, përcjellë KosovaPress.
Përballja e katërt
Turqia dhe Kosova janë përballur deri më tani tri herë, dy ndeshje zyrtare dhe një miqësore. Turqia i ka fituar të gjitha këto ndeshje, duke shënuar 12 gola dhe duke pranuar vetëm 2.
Sipas Sabah Spor, një ndeshje miqësore e zhvilluar më 21 maj 2014 në Kosovë nuk është njohur zyrtarisht, pasi në atë kohë Kosova nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s.
Turqia pret t’i jap fund “agjërimit” 24-vjeçar në Botëror
Turqia për herë të fundit ka marrë pjesë në Kupën e Botës në vitin 2002, në turneun e organizuar nga Koreja e Jugut dhe Japonia, ku arriti suksesin më të madh duke u renditur në vendin e tretë.
“Yjet me gjysmëhënë” synojnë t’i japin fund mungesës 24-vjeçare në Kupën e Botës duke mposhtur Kosovën. Turqia është kualifikuar tri herë në histori (1950, 1954 dhe 2002), por ka marrë pjesë vetëm dy herë, pasi në vitin 1950 nuk mori pjesë për shkak të problemeve financiare.
Në rast kualifikimi, Turqia do të luajë në Grupin D së bashku me SHBA-në, Paraguain dhe Australinë. Këto shtete e presin Kosovën, nëse kjo e fiton ndeshjes e së martës.
Ndeshja e 649-të në histori për kombëtaren turke
Kombëtarja turke ka zhvilluar gjithsej 648 ndeshje, prej tyre 361 zyrtare dhe 287 miqësore. Në këto ndeshje ka regjistruar 256 fitore (një me rezultat zyrtar), 241 humbje dhe 151 barazime. Turqia ka shënuar 896 gola dhe ka pranuar 926.
Montella në ndeshjen e 31-të në krye të Turqisë
Trajneri Vincenzo Montella deri më tani ka drejtuar Turqinë në 30 ndeshje, prej tyre 23 zyrtare dhe 7 miqësore. Nën drejtimin e tij, skuadra ka arritur 17 fitore, 8 humbje dhe 5 barazime.
Fadil Vokrri luajti dy vjet në Fenerbahçe
Stadiumi ku do të luhet ndeshja mban emrin e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili ka luajtur edhe në Turqi. Ai ishte pjesë e Fenerbahçes nga viti 1990 deri në 1992. Vokrri ndërroi jetë në vitin 2018 në moshën 57-vjeçare.
Fotoja ilustruese për këtë tekst është marrë nga “Fotomaç”.