Ishte 2 tetor, dy muaj më parë, kur Barcelona njoftoi afrimin e portierit 34-vjeçar, Shezni, pavarësisht paqartësive fillestare të polakut, i cili ishte tërhequr disa muaj më parë pas përvojës së tij me Juventusin.
Ardhja e tij u prit me entuziazëm sepse ishte opsioni më i mirë në treg. Askush nuk kishte dyshime për cilësitë e polakut, për përvojën e tij, sidomos në arenën ndërkombëtare. Edhe në integritetin e tij fizik sigurisht. Në atë kohë të gjithë e morën si të mirëqenë se do të ishte vetëm çështje ditësh para se ai t’i merrte fanellën e titullarit Penjas.
“Jam gati”, ka deklaruar ai pak ditë para ndeshjes ndaj Seviljes më 20 tetor. “Jam përgatitur në këto dy javë që të jem në maksimumin tim. Nëse do të luaj apo jo është vendimi i trajnerit, të cilin duhet ta respektoj”. Shpresat iu bllokuan menjëherë nga Flik gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes: “Jam i lumtur që ai thotë se është gati për të luajtur, por nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar portierin. Jemi shumë të kënaqur me Penjan dhe nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar, as në La Liga, as në Ligën e Kampioneve”, u shpreh Flik.
Tani kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga këto deklarata, situata nuk ka ndryshuar. “Injaki është në formë të mirë, ai po bën mirë dhe ne nuk kemi një plan për të hedhur në lojë Shezninë. Injaki është numri 1”, tha trajneri gjerman, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes kundër Majorkës. Flik po i dërgon një mesazh të qartë Penjas, i cili duket se e ka të sigurt fanellën e titullarit. Nga ana tjetër, Shezni është një rast i çuditshëm. U afrua me ngulm në një situatë kaotike, por nuk po shfrytëzohet aspak.
PANORAMASPORT.AL