Fredi Guarin ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm kolumbianë, teksa ka bërë karrierë për shumë vite në klube si Porto e sidomos Interi. Por paralelisht me këtë karrierë të suksesshme, futbollisti ka zbuluar se kishte rënë pre edhe e varësisë ndaj alkoolit. Në një intervistë të dhënë së fundmi, lojtari ka zbuluar të pathënat e jetës së tij që e shtynë thuajse drejt vetëvrasjes.
“Fillova të bëj emër në Itali dhe aty filloi pak a shumë gjithçka edhe jashtë fushës. E menaxhoja mjaft mirë: dehesha dy ditë para ndeshjes, më pas shkoja në fushë dhe gjërat ecnin vetë. Ne fitonim, unë shënoja një apo dy gola.
Kam punuar më shumë se kur nuk pija, ndoshta nga ndjenja e fajit. Kam pirë në shtëpi, në klube, në restorante. Po kërkoja shoqëri. Ambienti: shampanjë kudo, modelet më të mira. Unë kisha familjen time dhe këtu gjërat u ndërlikuan. E dija se po bëja gabime, si në punë ashtu edhe në përgjegjësitë familjare”, tha Guarín mes lotësh.
“Kam humbur qëllimin për të pasur një familje, kam humbur objektivin në futboll. Ndjeja se nuk kishte kufi. Isha i zhytur plotësisht në alkool. Agjenti im dhe unë i thamë njëri-tjetrit: “Duhet të ikim nga këtu, nuk mund të qëndrojmë më në Milano””, shtoi ish-mesfushori. Shkova në Kinë, më paguanin me euro dhe atje degjenerova plotësisht në alkoolizëm. Ngrihesha, shkoja në stërvitje dhe pas stërvitjes, alkool. Kam sjellë miq nga Italia, miq nga Kolumbia, në Kinë. Kam marrë 16 persona një herë. Nuk e kisha idenë për paratë, por fitoja shumë para.
Eksperienca në Brazil? Ishin 6 muaj që më bënë të ndihesha si njeriu më i lumtur në botë në një fushë. 50, 60, 70 birra në një natë. Pandemia erdhi, nuk kishte seanca stërvitore, nuk kishte grup, nuk kishte futboll. Nuk kishte frikë. Shkova në favela, isha me ndonjë vajzë çfarëdo. E braktisa plotësisht veten, i dehur shkoja në kërkim të rrezikut. E quajta adrenalinë, të shihja armët, lëvizjen. Nuk e kuptoja rrezikun”, tha ai, duke kujtuar më pas skandalin që u bë publik kur u filmua i dehur pasi kishte dhunuar pjesëtarë të familjes.
“Ishin të vështira ato 10 ditë, i kalova plotësisht i dehur. Më zinte gjumi nga lodhja dhe zgjohesha me birrë pranë, për t’u dehur sërish. Unë jetoja në katin e 17-të, isha shkëputur nga jeta dhe reagimi im ishte të kërceja. Në ballkon kishte një rrjetë, u hodha dhe më shtyu prapa. Isha i pavetëdijshëm për atë që po bëja, nuk e di se çfarë ndodhi. Në atë kohë thuhej se COVID vriste, mendja ime ishte e fiksuar pas vdekjes, vdekje gjatë gjithë kohës. Unë isha vetëm, me problemin tim të varësisë. E dija që me çdo lloj dehje, do të kisha vdekur. Ishte vdekja ose burgu. Askush nuk dinte asgjë, vetëm rrethi im i ngushtë i miqve, por kjo është si shkuan gjërat”, ishte rrëfimi i trishtë i Guarin.
PANORAMASPORT.AL