Stefano Pioli deklaroi pas derbit të humbur me shifrat 5-1 ndaj Interit se nuk kishte pse u kërkonte falje tifozëve. Por sot, në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Njukasëll në Ligën e Kampioneve, ai bëri disi prapakthehu.
“Unë kam kaluar këtu momente të bukura, por edhe të vështira. Ndjej peshën e mungesës së sukseseve në derbi dhe nëse do të mundesha, do të ndryshoja këto rezultate duke dhënë gjithçka që kam. Unë e di që po drejtoj një skuadër të fortë dhe e di që do të kemi aftësinë për të reaguar ndaj një derbi kaq të vështirë.
U jam borxhli tifozëve, pasi në vitin e kaluar, kur kemi luajtur me të vërtetë keq, na kanë mbështetur gjithmonë. Dhe u jam borxhli edhe sepse jam trajneri i cili ka humbur më shumë derbi në një vit. Por do të bëjmë gjithçka që ta kthejmë këtë sezon në pozitiv”, tha Pioli para gazetarëve, ku shpjegoi edhe vizitën e Zlatan Ibrahimoviç në stërvitjen e sotme.
“Zlatan duhej të vinte para derbit, por kishte një impenjim ndaj erdhi sot. E dimë se sa Ibra na ka për zemër dhe sa i rëndësishëm ka qenë për rrugëtimin tonë. Prania e tij është gjithmonë pozitive. Më pëlqeu mua, drejtuesve, shokëve të skuadrës. Do të takohemi edhe për darkë, jemi miq, nuk jam më trajneri i tij”, tha Pioli para gazetarëve.
PANORAMASPORT.AL