Udinese-Roma, sfida e javës së 32 në Itali u ndërpre në minutën e 71, për shkak të një problem shëndetësor të mbrojtësit të verdhekuqve, Evan Ndicka. Ky i fundit u ul në tokë duke mbajtur dorën në gjoks pas disa shtrëngimeve në zemër duke vendosur në alarm stafin mjekësor.
Skuadrat vendosën ta ndërprisnin ndeshjen pasi u rënduan emocionalisht. Për fat të mirë, 24-vjeçari është në gjendje optimale dhe është përjashtuar mundësia e një problemi në zemër. Nga ana tjetër, Liga ka vendosur që ndeshja mes Udinese dhe Romës të luhet në datën 25 prill me takimin që do të nisë ekzaktësisht në minutën e 71 e 30 sekonda.
Vendimi do të bëhet zyrtar të enjten kur do të zyrtarizohen edhe oraret e ndeshjeve të tjera. Kjo datë nuk i shkon shumë për shtat Romës që do të zbresë në fushë katër ditë më parë në një përballje direkte me Bolognan në “Olimpico”.
Verdhekuqtë do të tentojnë ta afrojnë datën e rikuperimit të ndeshjes, por vështirë se do t’ia dalin të bindin Ligën që në të tilla raste do të zbatojë me përpikmëri rregulloren e cila shprehet qartë se në rast se një ndeshje ndërpritet atëherë ajo rikuperohet në javën e parë të lirë.