Xhud Bellingam e ka krahasuar goditjen e tij me roveshatë kundër Sllovakisë me golin e Kristiano Ronaldos me Realin e Madridit.
Por ylli i Anglisë beson se goditja e portugezit ishte shumë më e bukur. Anglia ishte disa sekonda larg eliminimit nga “Euro 2024” të dielën, por arriti ta përmbysë Sllovakinë, duke u kualifikuar në çerekfinalen e katërt radhazi nën drejtimin e Garet Sauthgejtit, edhe falë kryeveprës së Bellingamit.
SI CR7 – Mesfushori i Realit, i cili mbushi 21 vjeç një ditë përpara ndeshjes së 1/ 8-ave, shënoi një gol spektakolar në minutën e 95-të, përpara se Herri Kejn të vuloste një përmbysje 2-1 në kohën shtesë. Bellingam ndihet sikur ka përdorur shumë nga ADN-ja e tij e Realit të Madridit, pasi zbuloi se ndihej si legjenda e “galaktikëve”, Ronaldo, i cili shënoi me një goditje të paharrueshme me roveshatë kundër Juventusit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve në sezonin 2017-18.
Megjithatë, duke folur për atë që mund të konsiderohet edhe goli i tij më i bukur i karrierës, ish-mesfushori i Borusias së Dortmundit ishte kritik ndaj teknikës së tij, përpara se të argumentonte përse përpjekja e Ronaldos ishte më e mirë se e tij. “Ishte me të vërtetë instinkt më shumë se çdo gjë, topi ra në vendin e përsosur, ishte pak pas meje”, tha Bellingam për “Diary Room”, në kanalet e mediave sociale të Anglisë.
“Kur isha në ajër mendova ‘o Zot, unë jam dy metra nga toka dhe është si goli i Ronaldos’. Por e pash përsëri dhe kam ende një krah në tokë, kështu që nuk ishte më akrobatiku! Por mendoj se ishte një kontakt i mirë dhe kur u ktheva pasi rashë në tokë dhe sapo e pashë atë si po rrotullohej brenda, mendova ‘oh Zoti im’; ishte padyshim një nga momentet më të rëndësishme dhe më të paharrueshme të karrierës sime deri tani”.
Anglia tani përballet me Zvicrën në çerekfinale të shtunën dhe me ndeshjen që do zhvillohet në Dyseldorf, Sauthgejt u dha lojtarëve dhe stafit të tij një ditë pushimi të martën, pasi ai pranoi se një disa prej lojtarëve të tij ishin të lodhur pas ndeshjes me Sllovakinë. Me një numër miqsh dhe familjarësh që vizituan bazën e ekipit në “Spa & Golf Resort Weimarer Land”, pa dyshim një temë e nxehtë diskutimi ishte goli spektakolar i Bellingamit, i cili sinjalizoi fillimin e përmbysjes në Gelzenkirshen. “Ishte një karusel emocionesh, me të vërtetë.
Jo ndoshta mënyra më e këndshme për të fituar një ndeshje, padyshim që ju gjithmonë dëshironi të ndiheni sikur jeni në kontroll dhe jeni komod. Por ju duhet të gjeni mënyra për të fituar, edhe nëse kjo do të thotë një goditje me roveshatë pas minutës së pestë shtesë, ju duhet të përpiqeni të gjeni një mënyrë. Por ndryshimi në emocion është kaq i madh. E dini, një minutë je si i vdekur dhe i varrosur, pashë stolin e Sllovakisë dhe ata ishin të gjithë gati për të vrapuar në fushë, ndihesh pak i dëshpëruar dhe pak i mërzitur.
Ne nuk pushuam së besuari se mund të krijonim një shans më shumë dhe për fat, e patëm atë. Kishte një rivënie të vogël pak më parë, ku ata nuk e kishin pastruar mirë”. Bellingam festoi golin duke ngritur krahët dhe duke thërritur dy fjalë: “Kush tjetër?” dhe më vonë shpjegoi se kishte për qëllim kritikët, të cilët kishin folur “broçkulla” për yllin e Realit dhe bashkëlojtarët e tij në kombëtare.
Ishte një shpërthim emocionesh nga Bellingam, i cili po hetohet gjithashtu nga UEFA për një gjest që bëri pas golit. 21-vjeçari dukej se po bënte gjeste drejt pankinës sllovake, me UEFA-n që lëshoi një deklaratë të hënën, ku thuhej:
“Një inspektor disiplinor dhe etik i UEFA-s do të kryejë një hetim disiplinor në lidhje me një shkelje të mundshme të rregullave bazë të sjelljes së denjë nga anglezët”. Por Xhud e ka mohuar se kishte për qëllim rivalët dhe sqaroi se ishte shaka private me miqtë e tij që ishin të pranishëm.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL