Luçiano Spaleti vazhdon me deklaratat e tij që krijojnë debate, polemika, por edhe i bën njerëzit të buzëqeshin.
Tekniku i kombëtares së Italisë vazhdon të hedhë dritë mbi të kaluarën e tij dhe eksperiencat si trajner, kur ka drejtuar në klube si Roma, Inter dhe Napoli. Detaje të reja mbërrijnë në disa episode që e kanë bërë, sipas tij, shumë më të fortë.
Gjatë fjalimit të tij në “World Meeting on Human Fraternity”, i mbajtur në CONI, Spaleti fillimisht foli për të kaluarën e tij te Napoli:
“I fal të gjithë, por nuk harroj”. Më pas ai iu referua një situate që e bëri atë më të fortë.
Luçiano Spaleti ishte trajner i Interit nga viti 2017 deri në vitin 2019, ku megjithatë nuk arriti rezultatet e dëshiruara. Në skuadrën e tij si sulmues kryesor ishte Mauro Ikardi, i cili krijoi jo pak probleme brenda klubit për shkak të bashkëshortes Uanda Nara, që ishte edhe menaxherja e tij.
Argjentinasja e famshme ishte një nga arsyet që çoi në divorcin mes klubit dhe sulmuesit, për shkak të ndërhyrjes së saj në marrëdhëniet kontraktuale dhe qëndrimit të saj duke bërë gjithmonë kërkesa në rritje. E Spaleti, pavarësisht gjithçkaje, e falënderoi.
“Rasti Uanda Nara, por edhe rasti Toti, më bënë më të fortë. Vëllai im më thoshte gjithmonë se po bëja një punë të shkëlqyer. Është t’i kesh të gjithë kundër teje, që të bën të vetëdijshëm për karakterin tënd dhe të tregon se kush je”.
PANORAMASPORT.AL