UEFA ka caktuar gjyqtarët për ndeshjet finale të garave të saj për klube. Besimin më të madh e ka pasur gjyqtari polak Szymon Marciniak, i cili do të ndajë drejtësi me ndihmësit e tij nga Polonia në finalen e Ligës së Kampionëve ku Manchester City dhe Interi takohen më 10 qershor në Stamboll në stadiumin “Ataturk”.
Kjo do të jetë finalja e parë e Ligës së Kampionëve për polakin që do të gjykojë, ndërkaq më parë në vitin 2018 ai ishte gjyqtar i katërt, shkruan lajmi.net.
Në dhjetor 2022, Marciniak shërbeu edhe në finalen e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës.
Kur bëhet fjalë për Ligën e Evropës, gjyqtari anglez Anthony Taylor do të vendosë drejtësinë, i ndihmuar edhe nga bashkatdhetarët e tij.
Finalja e Ligës së Evropës është planifikuar të zhvillohet në Budapest më 31 maj nga ora 21:00 në Puskas Arena dhe do të takohen Sevilla dhe Roma.
Arbitri kryesor i finaleve të Ligës së Konferencës do të jetë spanjolli Carlos del Cerro Grande, i cili do të asistohet edhe nga skuadra e tij nga Spanja.
Finalja e Ligës së Konferencës do të luhet më 7 qershor në Pragë mes West Hamit dhe Fiorentinës./Lajmi.net/