Kosova do ta nisë aventurën në edicionin e ri të Ligës së Kombeve të enjten ndaj Irlandës, ndërsa UEFA ka caktuar një treshe belge për të drejtuar këtë përballje në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Gjyqtar kryesor i ndeshjes do të jetë Lawrence Visser, për të cilin kjo do të jetë hera e dytë që gjykon një ndeshje të Kosovës.
Visser për herë të parë kishte gjykuar Dardanët në vitin 2018, në përballjen ndaj Ishujve Faroe, po ashtu në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kosova atë ndeshje e kishte fituar me rezultat 2:0, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në sfidën e së enjtes, Visser do të ketë në krahë bashkëkombësit Ruben Wyns dhe Michele Seeldraeyers, të cilët do të jenë asistentë të tij.
Kevin Van Damme është caktuar gjyqtar i katërt, ndërsa në VAR do të jetë Jan Boterberg, i ndihmuar nga Simon Bourdeaud’hui.
Ndeshja Kosovë-Irlandë zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Teilen: