Luis Enrique ka dalë sot përpara gazetarëve për të prezantuar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League ku përballë Parisit të tij është Bayern-i i Mynihut.
Në fjalën e tij trajneri spanjoll i PSG-së vlerësoi rivalët bavarez duke i konsideruar si një ekip sulmues, i aftë për të shënuar shumë gola.
“Kompany është një trajner i nivelit të lartë dhe atë e kemi parë edhe në Angli. Një gjë të tillë mund ta shikoni edhe në Mynih. Të gjithë e dinë se sa e vështirë është që të luash kundër Bayern-it. Ata janë një ekip që unë preferoj të shikoj. Ata kanë një ekip që u pëlqen shumë të shënojnë gola. Mua më pëlqejnë të gjithë trajnerët, në mënyrë të veçanta ata që sulmojnë”, argumentoi Luis Enrique.
Luis Enrique nuk është dakord kur gazetarët konsideruan këëtë ndeshje si takimin mes dy ekipeve më të mira të kompeticionit. “Nuk mendoj se vlen vetëm sulmi në një skuadër. Edhe Arsenali ka treguar shumë këtë sezon. Sa i përket Bayern-it mendoj se ka qenë shumë konstant pasi ka humbur vetëm dy ndeshje këtë sezon. Por mendoj se po të bazohemi në atë çfarë kanë bërë si ekip them se PSG-ja është diçka më lart”, tha Luis Enrique.