UEFA ka konfirmuar zyrtarisht se ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, nuk do të zhvillohet në Beograd, por në qytetin e Leskovacit.
Përballja do të luhet më 11 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Gradski Stadion Dubocica”, një impiant që u inaugurua vetëm dy vite më parë.
Fillimisht, kjo sfidë ishte planifikuar të zhvillohej në “Rajko Mitic” në kryeqytetin serb, por për arsye organizative dhe të sigurisë, autoritetet kanë vendosur ndryshimin e stadiumit.
Ky vendim ishte paralajmëruar më herët në Serbi, ndërsa tashmë është bërë zyrtar edhe nga UEFA.
Takimi pritet me interes të madh, jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për ndjeshmëritë që e shoqërojnë, duke pasur parasysh të kaluarën e tensionuar të dueleve mes dy kombëtareve.
Për këtë arsye, masat e sigurisë në Leskovac do të jenë të shtuara, ndërsa ndeshja do të zhvillohet pa praninë e tifozëve shqiptarë, siç është përcaktuar nga organet drejtuese të futbollit.
Nga ana sportive, ndeshja është vendimtare për ecurinë e Grupit K. Shqipëria, pas pesë takimeve të para, renditet me 8 pikë dhe synon të mbajë ritmin për një vend drejt Botërorit. Serbia, që ka një ndeshje më pak, numëron 7 pikë dhe kërkon të shfrytëzojë fushën e saj për të kaluar kuqezinjtë në renditje.