Ka ardhur momenti për një tjetër aventurë europiane të futsallit shqiptar. Kampionia në fuqi e Shqipërisë, Tirana Futsal, do të nisë nesër sfidat në fazën paraeliminatore të UEFA Futsal Champions League 2026/27.
Bardheblutë janë pjesë e Grupit D, ku do të përballen me Hjørring Futsal Klub nga Danimarka, Futsal Club Cardiff nga Uellsi dhe APOEL FC Nicosia nga Qiproja.
Të gjitha ndeshjet e grupit do të zhvillohen në Tiranë, në sallën e Parkut Olimpik “Feti Borova”, duke i dhënë skuadrës shqiptare avantazhin e rëndësishëm të mbështetjes së tifozëve në shtëpi.
Turneu do të startojë nesër, më 26 gusht, me dy sfidat e para. Në orën 17:00 Hjørring Futsal Klub do të përballet me Futsal Club Cardiff, ndërsa në orën 20:45 Tirana Futsal do të zbresë në parket për ndeshjen e parë europiane, ndaj APOEL FC Nicosia.
Aktiviteti do të vijojë më 27 gusht, me APOEL FC Nicosia–Hjørring Futsal Klub në orën 17:00 dhe Tirana Futsal–Futsal Club Cardiff në orën 20:45.
Ndeshjet e fundit të grupit do të luhen më 29 gusht. Në orën 17:00 do të përballen Futsal Club Cardiff dhe APOEL FC Nicosia, ndërsa në orën 20:45 Tirana Futsal do të zhvillojë sfidën e fundit ndaj Hjørring Futsal Klub.
Për kampionët e Shqipërisë, ky turne përfaqëson një tjetër mundësi për të promovuar futsallin shqiptar në arenën europiane dhe për të synuar një paraqitje sa më pozitive në kompeticionin më prestigjioz europian për klubet e këtij sporti.
Kalendari i plotë i ndeshjeve:
Hjørring Futsal Klub–Futsal Club Cardiff, 26 gusht, ora 17:00, Parku Olimpik “Feti Borova”
APOEL FC Nicosia-Tirana Futsal, 26 gusht, ora 20:45, Parku Olimpik “Feti Borova”
APOEL FC Nicosia-Hjørring Futsal Klub, 27 gusht, ora 17:00, Parku Olimpik “Feti Borova”
Tirana Futsal-Futsal Club Cardiff, 27 gusht, ora 20:45, Parku Olimpik “Feti Borova”
Futsal Club Cardiff-APOEL FC Nicosia, 29 gusht, ora 17:00, Parku Olimpik “Feti Borova”
Tirana Futsal-Hjørring Futsal Klub, 29 gusht, ora 20:45, Parku Olimpik “Feti Borova”