Juxhin Xhaja mbylli këtë javë me sukses derbin e kryeqytetit që kaloi pa incidente dhe probleme për kryesorin.
Ky ishte thjesht një “aperitiv” për gjyqtarin shqiptar, i cili është caktuar nga UEFA në këtë mesjavë në një ndeshje të Ligës së Europës, ku do të jetë nën vëzhgim nga një nga emrat e rëndësishëm të gjykimit ndërkombëtar.
Xhaja do të drejtojë takimin që lihet këtë të martë në Alkmar të Holandës mes AZ vendas dhe Elfsborg të Suedisë.
Ai do të ketë si asistentë në këtë sfidë Rejdi Avdon dhe Arbër Pemën, ndërsa Albert Doda do të jetë gjyqtar i katërt.
Në VAR do të jetë anglezi Stjuart Atuell ai që do të asistojë Xhajën, me Pitër Benkis po nga Anglia në AVAR.
Ajo që bie në sy është se kjo ndeshje mund të jetë një test shumë i rëndësishëm për të ardhmen ndërkombëtare të Xhajës. Vëzhguesi i gjyqtarëve i caktuar nga UEFA është italiani Mateo Trefoloni, një nga emrat i cili zakonisht dërgohet për të vlerësuar gjyqtarë të cilët mendohet tu rritet niveli ndërkombëtar apo në të ardhmen mund t’u besohen ndeshje të një rëndësie më të madhe.
Me shtimin e ndeshjeve në Ligën e Kampioneve, ky mund të jetë testi për Xhajën që edhe ai të drejtojë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në kontinent.