Këtë javë, UEFA do t’u shpërndajë rreth 31.5 milionë euro klubeve që vunë në dispozicion lojtarët e tyre për “Nations League” 2024/25. Kjo është pagesa e parë e ciklit aktual të “UEFA Club Benefits Programme”, në përputhje me memorandumin e mirëkuptimit mes UEFA-s dhe EFC.
Në total, 104 milionë euro janë parashikuar për klubet që lëshojnë lojtarë për edicionet 2024/25 dhe 2026/27 të “Nations League”, si dhe për kualifikueset e Europianit 2028.
Kompensimi llogaritet për çdo lojtar dhe ndeshje, me 3.845 euro për çdo paraqitje të një lojtari të grumbulluar në një ndeshje të “Nations League” ose kualifikueseve europiane. Për “Euro 2028”, kompensimi do të llogaritet për lojtar dhe ditë.
Programi përfshin 611 klube nga të gjitha federatat anëtare të UEFA-s, përfshirë edhe klube amatore. Leipzig do të marrë shumën më të madhe në këtë këst: rreth 353 mijë euro, pasi vuri në dispozicion 16 lojtarë.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, tha se programi njeh kontributin thelbësor të klubeve në suksesin e kombëtareve, zhvillimin e lojtarëve dhe vënien e tyre në dispozicion.
Cikli aktual, i lidhur me “Euro 2028”, parashikon gjithsej 244 milionë euro për klubet: 104 milionë për “Nations League” dhe kualifikueset, ndërsa 140 milionë euro për klubet që lëshojnë lojtarë për fazën finale të Europianit.