Në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Evropian U21 që do të mbahet në Shqipëri dhe Serbi në vitin 2027, një grup pune i UEFA-s ka zhvilluar një vizitë inspektuese nga 8 deri më 12 shtator.
Zyrtarët e UEFA-s, të shoqëruar nga përfaqësues të FSHF-së, inspektuan stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet, si dhe terrenet stërvitore dhe hotelet që do të presin ekipet pjesëmarrëse. Në total, u vizituan 28 hotele dhe 21 qendra stërvitore, të cilat do të përzgjidhen për t’u përfshirë në katalogun e “Team Base Camp”-eve që do t’u ofrohet skuadrave finaliste.
Përshtypja e përgjithshme e inspektorëve ishte pozitive, ndërsa vizita e radhës e UEFA-s është planifikuar për marsin e vitit 2026, me qëllim monitorimin e mëtejshëm të punimeve dhe përgatitjeve.
Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi që Shqipëria të jetë një nga vendet organizatore të Euro U21 2027. Turneu do të zhvillohet në qershor dhe do të mbledhë 16 kombëtare të moshës deri në 21 vjeç, me futbollistë të cilët tashmë spikasin edhe në ligat elitare të Europës./kp