Juventusi nuk do të marrë pjesë në kompeticionet europiane për këtë edicion. Ky ka qenë vendimi i fundit që ka dalë nga UEFA gjatë ditës së sotme, e që lë bardhezinjtë jashtë Ligës së Konferencës ku kishin siguruar praninë pas penalizimit të dhënë nga Federata Italiane për çështjen e plusvalencave.
UEFA kishte hapur hetim prej 7 muajsh, duke shqyrtuar edhe ajo dokumentacionin për klubin italian i cili po gjykohej në Itali për shkeljet me bilancet financiare, si për praktikën e plusvalencave, ashtu edhe për atë të mosdeklarimit të pagave që janë dhënë në të zezë.
Komisioni disiplinor i UEFA-s, ka vendosur që Juventusi nuk duhet të luajë një sezon në Europs, si dhe të paguajë një gjobë prej 20 milionë eurosh që do të shlyhet pjesërisht tani dhe pjesërisht “me kusht” më vonë. Në vend të bardhezinjve, në këtë kompeticion do të marrë pjesë Fiorentina, e cila ishte renditur një vend më poshtë në Serinë A.
Për Juventusin, lajmi në fakt nuk ka ardhur surprizë dhe shumëkush e cilëson një “nder” nga ana e UEFA-s, pasi ky ndëshkim e shpëton nga pjesëmarrja në turneun me më pak rëndësi në Europë. Njëkohësisht, në rast se dënimi do të shtyhej pasi Juventusi të merrte pjesë në këtë edicion në Ligën e Konferencës, klubi bardhezi rrezikonte të penalizohej në edicionin pasardhës, atë që shpreson ta nisë në Ligën e Kampioneve.
PANORAMASPORT.AL