Partizani U-19 e ka nisur me fitore rrugëtimin në edicionin 2026/2027 të UEFA Youth League. Skuadra kryeqytetase triumfoi në transfertë ndaj Valletta U-19 me rezultatin 2-0, në ndeshjen e parë të raundit të parë të “Domestic Champions Path”, të zhvilluar në stadiumin “Centenary” në Ta’ Qali, Maltë.
Të kuqtë zhvilluan një paraqitje pozitive dhe arritën të zhbllokonin sfidën në minutën e 63-të me Erald Rrengën, ndërsa Ergit Hyka vulosi suksesin gjashtë minuta më vonë, duke i dhënë Partizanit një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit.
Ky rezultat e afron ekipin shqiptar me kualifikimin në raundin e dytë të kompeticionit, ku fituesi i këtij çifti do të përballet me Hradec Králové të Çekisë.
Ndeshja e kthimit, Partizani U-19 vs Valletta U-19, do të luhet më 14 tetor, në orën 14:00, në Tiranë.
Paraqitja e Partizanit U-19 në UEFA Youth League është një tjetër tregues i punës dhe zhvillimit të futbollit të moshave në vend, me kampionët e Shqipërisë që përfaqësojnë denjësisht futbollin shqiptar në arenën europiane.