UEFA ka konfirmuar zyrtarisht se ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, nuk do të zhvillohet në Beograd, por në qytetin e Leskovacit.
Fillimisht, kjo sfidë ishte planifikuar të zhvillohej në stadiumin “Rajko Mitic” në kryeqytetin serb, por për arsye organizative dhe të sigurisë, autoritetet kanë vendosur ndryshimin e impiantit.
Për këtë ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) duke konfirmuar se vendimi për zhvendosjen e ndeshjes Serbi – Shqipëri, është marrë pas kërkesës së Federatës Serbe të Futbollit.
Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Gradski Stadion Dubočica” në Leskovac më 11 tetor në orën 20:45, duke u larguar nga stadiumi “Rajko Mitic” në Beograd. Pala shqiptare ka dhënë dakordësinë për këtë ndryshim.
Ky vendim u mor nga UEFA, kryesisht për shkak të masave të sigurisë dhe nevojës për të garantuar zhvillimin e ndeshjes në një ambient të kontrolluar dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit, duke përfshirë lojtarët, stafin dhe tifozët
Në kuadër të Grupit K, Shqipëria aktualisht renditet e dyta me 8 pikë pas pesë ndeshjeve të para dhe synon të qëndrojë në garë për një vend në play-off. Ndërsa Serbia, me një ndeshje më pak, ka grumbulluar 7 pikë dhe kërkon të shfrytëzojë fushën e saj për të kaluar kuqezinjtë në renditje. /ATVLIVE.TV