Ka disa gjëra që nuk dalin nga moda. Një vit përpara, Manuel Ugarte, sfidonte Juventusin në çerekfinalet e Ligës së Europës, duke fituar edhe penalltinë e 1-1, e cila në fund nuk i mjaftoi Sportingut të Lisbonës për të shkuar në gjysmëfinale, pas humbjes 1- 0 në “Allianz Stadium” ndaj bardhezinjve. Por tani, mesfushori i rritur me mitin e Busketsit dhe De Bryjnes, i cili kaloi në verë të PSG-ja, është rikthyer që të jetë në shënjestrën e “Zonjës së Vjetër”, duke qenë se transferimi në Paris nuk ishte aq i bukur sa çfarë u mendonte në fillim.
Ndonëse trajneri Luis Enrike çmendej në fillim të sezonit për uruguaianin e datëlindjes 2001, shpërthimi i Zaire-Emerisë ka bërë që amerikano-jugori të përfundojë në hijen e stolit, ndonëse 19 prezencat sezonale (13 vetëm në kampionat) nuk janë një numër për t’u nënvlerësuar, ndonëse nga një lojtar që ka një klauzolë prej 60 milionë eurosh, ndoshta pritej një rol prej protagonisti absolut. Gjithsesi, e rëndësishme është që në Torino nuk e kanë harruar “Demin” uruguaian dhe shohin te Ugarte një përforcim të rëndësishëm për mesfushë, duke parë se Ueston MeKeni dhe Adrien Rabio duken shumë të ftohtë për të vazhduar aventurën e tyre torineze.
Dhe kjo bën që menjëherë drejtori sportiv, Kristiano Xhuntoli, të hidhet në sulm, duke përfituar edhe nga situata aspak e bukur e Manuel Ugartes në Paris. Ndonëse Juventusi me presidentin e francezëve, Naser Al-Khelaifi ka prishur marrëdhëniet që prej epokës “Anjeli”, Xhuntoli mendon se mund t’i qepë ato dhe të mbërrijë te mesfushori 23- vjeçar prej 182 centimetrash. Ideja është ajo e një huazimi fillestar, me të drejtë blerje në verën e vitit 2025, ndonëse nga Parisi janë gati të bisedojnë, por atyre u intereson më shumë një blerje definitive me shifrën e klauzolës. Sigurisht që Juventusi as që do e merrte në konsideratë mundësinë e të futurit në tratativë për 60 milionë euro, pasi këtë shifër janë gati që ta shpenzojë vetëm për Teun Kopmainersin e Atalantës, ëndrrën e madhe të merkatos.
Por nëse PSG-ja pranon huazimin dhe uljen e pretendimeve të paktën deri në 40 milionë, gjithmonë nëse vetë Ugarte do të pranonte Juventusin, ndoshta diçka mund të bëhej. Pastaj, përveç PSG-së është edhe një aspekt që nuk duhet anashkaluar, paga prej gati 7 milionë eurosh në sezon e uruguaianit, të cilën Juventusi jo që nuk e garanton, por as që ka ndërmend të shkojë më larg se gjysma e saj edhe nëse palët bien dakord. Gjithsesi, mes të gjitha këtyre vështirësive, bardhezinjtë është e rëndësishme që kanë hapur një kanal bisedimesh me PSGnë për Ugarten, por tani duhet parë sesi do të vijojnë gjërat më tej…
PANORAMASPORT.AL