Ish-portieri i Kosovës dhe tani zëvendës-drejtori i Kombëtares, Samir Ujkani, ka kryer programin e FIFA-së, “Executive Programme”, që ka të bëjë me qeverisje të mirë.
Lajmin e ka bërë të ditur Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili për Ujkanin ka thënë se është një arritje e madhe për FFK-në dhe shpreson që eksperiencën e marrë në FIFA, ta zbatojë edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Portieri i shumë skuadrave evropiane, dhe ndër të parët që iu përgjigj ftesës së Kosovës pas pranimit në UEFA dhe në FIFA, nga viti i kaluar i është bashkëngjitë ekipit të “Dardanëve” në rolin e menaxhuesit.
“Federata e Futbollit e Kosovës po vazhdon t’i licencojë, përgatisë dhe aftësojë kuadrot e saj në të gjitha sektorët, duke u fokusuar në specializimin dhe profesionalizmin e njerëzve adekuatë. E uroj Samirin për këtë sukses dhe jam i bindur se eksperiencën që e ka marrë në FIFA do ta zbatojë me përkushtim në Federatën tonë. Ne si FFK do të vazhdojmë të investojmë në të gjitha sektorët dhe të mbështesim të gjithë ata që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Federatës dhe të futbollit kosovar”, ka shkuar Ademi në rrjete sociale për Ujkanin.