Një pushtim i mirëfilltë mafioz në tribunat e ultrasve të Interit dhe Milanti, të cilët kontrollojnë shitjen e biletave në mënyrë të jashtëligjshme, por dhe aktivitete të tjera si kërcënimi, zhvatja apo shpërndarja e lëndëve narkotike.
Policia italiane ka bërë sot një aksion të mirëfilltë ku janë marrë shoqëruar në komisariat rreth 50 persona, me 18 prej tyre që kanë përfunduar në pranga me akuza të rënda. Të gjithë emra shumë të njohur, kapoultrasit e Milanit dhe Interit, të cilët kontrollonin me pak fjalë atë që ndodhte në “San Siro” para, gjatë dhe pas ndeshjeve.
Gjithçka lindi pas vrasjes së Antonio Beloko pak javë më parë dhe sipas hetimeve të policisë, edhe ai duhej të ishte në pranga për shkak të lidhjeve mafioze. Ajo që liderët e ultrasve e kontrollonin ndër të tjera ishte edhe shitja e pijeve rrotull stadiumit, apo edhe merrnin përqindje nga fitimet e parkingjeve pranë impiantit. Në pranga edhe Loris Grançini, kapoultras i Juventusit i cili njihët për lidhjet e tij me homologët interistë e milanistë.
Sipas prokurorisë, klubet e Interit dhe Milanit ishin viktima të kësaj situate, por i nënshtroheshin thuajse plotësisht kërkesave të ultrasve të tyre të cilët kishin shpesh lidhej direkte me drejtuesit, apo edhe me trajnerët, si në rastin e Simone Iznagit. Para finales së Ligës së Kampioneve, kur klubi u siguroi ultrasve vetëm 800 bileta nga 1500 që ata kishin kërkuar, kapoultrasit telefonuan Inzagin. Në një përgjim telefonik, Marko Perdiko, një nga ata që u arrestuan sot, i telefonoi atij duke i kërkuar të ndërhynte te drejtuesit, duke marrë premtimin nga ky i fundit se do të fliste me Marotën, Zanetin apo Ferrin për të parashtruar kërkesën e ultrasve.
PANORAMASPORT.AL