953 studentë janë regjistruar deri tani në vitin e parë në Universitetin e Shkodrës. Shifra shënon një rritje prej rreth 8% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në total Universiteti i Shkodrës numëron rreth 4 mijë studentë.
“Në programet baçelor dhe programin e integruar të ciklit të dytë janë realizuar afërsisht 63% e kuotave krahasuar me 57% të vitit të kaluar. Edhe programet me karakter profesional kanë shënuar rritje duke arritur në 85% të kuotave krahasuar me 82% të vitit të kaluar”, deklaroi Blerta Dragusha Rektore Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.
Në universitetin e Korçës, rreth 510 studentë janë regjistruar këtë vit të ri akademik, një shifër e ngjashme me dy vitet e mëparshme. Zgjedhjet e studentëve tregojnë interes të qëndrueshëm për programe që lidhen me teknologjinë, ekonominë, shëndetësinë, sportet dhe anglishten, ndërsa pritet vendimi isenatit për katër degë: Gjuhë dhe kulturë frënge, Gjuhë-Letërsi shqipe dhe gjuhë pakicash, Economics dhe matematikë-Fizikë.
“Universiteti Fan Noli këtë vit akademik aktivizon këto programe studimi. Shtatë programe studimi dyvjeçar, 26 programe studimi baçelor, 14 master profesional, 14 master shkencor dhe dy doktoratura për herë të pare”, tha Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, Rektor i Universitetit “Fan S. Noli” Korçë.
Në total universiteti i Korçës ka të regjistruar rreth 2500 studentë. Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë nis vitin akademik 2026–2027 me programe dy të reja studimi në bahchelor: Teknik Laboratori dhr Dermoestetikë, dhe rihapjen e programit të Doktoratës në Matematikë. Mbi 1500 studentë nisën universitetin për herë të parë: rreth 950 në ciklin e parë të studimit, 540 në ciklin e dytë dhe 15 doktorantë, duke e çuar numrin e studentëve rreth 5 mijë.
Në Gjirokstër, për herë të parë në auditorët e universitetit “Eqrem Çabej” u ulën rreth 500 studentë, ndërsa asnjë prej degëve nuk rrezikon mbylljen.
“Kjo ka ardhur si rezultat i faktit që Universiteti Eqerem Çabej i Gjirokastrës aktualisht ka një numër shumë të lartë programesh duale të cilat ja kaNë rritur cilësinë e diplomës që lëshon universiteti jonë”, tha Jaho Cana, Rektor, Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër.
Universiteti i Durrësit e nis vitin e ri akademik me rritje të numrit të studentëve dhe zgjerim të ofertës akademike. Rreth 1 mijë e 800 studentë të rinj, rreth 100 më shumë se një vit më parë, kanë zgjedhur këtë vit këtë universitet. Në total, UAMD numëron rreth 17 mijë e 500 studentë në të gjitha ciklet e studimit, nga programet profesionale dyvjeçare, Bachelor dhe Master, deri te Doktoratura.
/RTSH/