Dy barazime surprizë në ndeshjet e natës të Botërorit 2026. Uruguai nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 kundër Arabisë Saudite në Miami, në Grupin H.
Skuadra e trajnerit Bielsa u surprizua në minutën e 41-të nga goli i mbrojtësit Abdulelah Al Amri. “Celeste’ më pas ushtroi presion dhe ia doli të barazonte vetëm 10 minuta para fundit me Maxi Araujo. Megjithatë, pika nuk është se i kënaq shumë amerikanojugorët në ndeshjen e parë të Kupës së Botës.
Irani dhe Zelanda e Re barazuan 2-2 në ndeshjen e tyre debutuese, përpara 70.000 tifozëve në “SoFi Stadium” të Los Angeles. Dy herë kaluan në avantazh zelandezët, por iranianët treguan karakter, duke marrë rezultatin që i çon të katërta skuadrat e Grupit G në kuotën e 1 pike pas ndeshjeve të para.
Dopietë e Elijah Just (7′ dhe 55′) për Zelandën e Re, kurse për Iranin shënuan Ramin Rezaeian (32′) dhe Mohammad Mohebi (64′).