Myrto Uzuni është duke kaluar një moment të shkëlqyer në ligën e dytë të futbollit spanjoll.
Sulmuesi beratas po udhëheq Granadën në përpjekje për tu rikthyer në La Liga.
Në duelin shtëpiak të javës së 20 të kampionatit, Uzuni shënoi tre gola duke i dhënë mundësi ekipit të tij të fitonte thellë 4 me 1 në fushën e vet kundër Kartagjenës.
Sukses i rëndësishëm ky për Granadën e cila është në vendin e pestë në renditje në zonën Play off dhe 3 pikë larg vendit të dytë që të ngjit direkt në mesin e më të mirëve të futbollit iberik.
Sfida nisi keq për të zotët e shtëpisë të cilët pësuan gol në minutën e 12. Mirëpo të udhëhequr nga kapiteni i tyre Myrto Uzuni, vendasit barazuan shpejt rezultatin pas vetëm 2 minutash falë një gjuajtje të saktë me kokë të futbollistit shqiptar.
Jo vetëm kaq por në minutën e 27 Uzuni shënoi edhe golin e përmbysjes duke kaluar në ekstazë tifozët e Granades.
Vetëm tre minuta më vonë ai pati edhe një tjetër rast fantastik për të shënuar por gjuajtja shkoi mbi kuadrat.
Mirëpo për të thelluar shifrat për Granadën në këtë pjesë të parë mendoi Rodelas.
Shou i sulmuesit kuqezi u kompletua me golin e tretë personal dhe të katërtin për Granadën në minutën e 73 kur Uzuni vulosi suksesin 4 me 1 kundër Kartagjenës.
29-vjeçari është golashënuesi më i mirë i ligës së dytë në Spanjë me 14 gola dhe 1 asist, teksa ka thelluar edhe rekordin e golashënuesit më të mirë në historinë e Granadës me 48 gola.