Procesi gjyqësor për vdekjen e Diego Armando Maradonës vazhdon të prodhojë dëshmi shumë të forta dhe prekëse. Kështu ndodhi edhe kur u paraqit në sallën e gjyqit Dalma Nerea Maradona, një nga vajzat e “El Pibe de Oro”, lindur nga martesa me Claudia Villafañe. E reja, ashtu si edhe dëshmitarë të tjerë para saj, nuk e përballoi dot emocionin dhe shpërtheu në lot ndërsa tregonte detaje për periudhën e fundit të jetës së të atit.
Ajo zbuloi se kishte kuptuar që diçka nuk shkonte në menaxhimin mjekësor të të pandehurve në këtë proces. Vajza e Maradonës veçoi sidomos neurokirurgun Leopoldo Luque, psikiatren Agustina Cosachov dhe psikologun Carlos Díaz, të akuzuar për vrasjen e të atit me dashje:
“Ne i kishim paralajmëruar që 6 muaj më parë se babai im nuk ishte mirë, ndërsa ata na mashtruan në mënyrën më mizore që të pranonim këtë zgjidhje. Të tre ata thoshin gjithmonë që babai im ishte një pacient kompleks, kështu që iu thashë të largoheshin dhe do kërkonim mjekë të tjerë, por nuk u larguan kurrë”.
Alarmi i parë erdhi kur Dalma dhe familjarët e tjerë panë një foto të Maradonës me bluzë spitali dhe fashë në kokë, pas operacionit në tru, në shoqërinë e mjekut personal Luque. U ngritën shumë dyshime mbi nevojën e atij operacioni, u bë kërkesa për ta zgjeruar stafin mjekësor, çka nuk u mor parasysh. Besimi ndaj mjekut u shpërblye keq, pasi u refuzua propozimi për ta sistemuar Maradonën në tri shtëpi të ndryshme, që ai të jetonte “si mbret”.
Dalma tregoi se ishte në dijeni të varësive të të atit nga kokaina dhe alkooli dhe se e kishte ndihmuar për t’i kapërcyer ato. Sidoqoftë, në periudhën e fundit, gjendja ishte përkeqësuar dhe u bë alarmante. Rrëfimi për video-thirrjet e fundit ishte prekës: “Babai im kishte momente kur e humbiste. Nëse ishim në video-thirrje, nuk dinte me kë po fliste. Ditët e fundit para vdekjes së tij kishim ndërprerë çdo kontakt”.
Dalma shpërtheu në lot kur tregoi për mbërritjen në shtëpinë ku kishte vdekur Maradona: “Pashë që ishte i mbuluar me një çarçaf, por ishte shumë i fryrë. U hodha mbi të, duke menduar se do të zgjohej. I kishte duart shumë të fryra, ashtu edhe barkun. Mbërrita me nënën time, sepse Gianinna na kishte telefonuar dhe na kishte thënë që po përpiqeshin ta reanimonin”.
Edhe ajo përshkroi kushte katastrofike ku po mjekohej: “Kur mbërrita, hyra në dhomë me nënën time. Vendi ishte i neveritshëm. Kishte erë urine. Ndarëset ishin aty sepse dhoma ishte improvizuar. Nuk kishte banjo afër dhe kuzhina ishte e ndotur”.
Në përfundim të dëshmisë, asnjë dyshim për fajin e të pandehurve: “Edhe sot, katër vite pas vdekjes së tij, mësojmë gjëra të reja. Mësojmë si këta profesionistë të shëndetit e kanë trajtuar babanë tim. Si e kanë menaxhuar kujdesin ndaj tij.
Është shumë e dhimbshme që tani duan të na akuzojnë ne si përgjegjës. Ne nuk kemi marrë asnjëherë vendime. Kur kemi provuar të propozojmë diçka që nuk i përfshinte ata, nuk na u dha mundësia. Më mungon çdo ditë dhe nuk ndaloj dot së menduari se, nëse ata do ta kishin bërë punën e tyre, babai im nuk do të kishte vdekur”.