Radha për ekipet kombëtare të moshave të vajzave të zbresin në fushë. Shqipëria U-15 dhe përfaqësuesja shqiptare U-19 zhvilluan dy ndeshje miqësore në fundjavë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, që veç rezultatit kishin si qëllim testimin e lojtareve të reja dhe vendosjet e ekipeve në fushë.
Ekipi kombëtar i vajzave U-15 u përball me bashkëmoshataret e ekipit të Dajtit. Një ndeshje mjaft e bukur që përfundoi me fitoren e thellë 5-0 të vajzave kuqezi. Përpos rezultatit, që sigurisht ndikon në ngritjen e moralit të skuadrës, kjo ndeshje i shërbeu trajnereve Daniela Kodra dhe Emirjeta Ndoci që të testojnë vajzat kuqezi dhe të shohin mundësitë e vendosjes së skuadrës në ndeshjet e turneut “UEFA Development U-15” që do të luhet përgjatë këtij muaji në Shqipëri.
Në këtë turne, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Estoninë. Në takimin përballë Dajtit, dy trajneret e skuadrës provuan të gjithë elementët e grumbulluar për këtë ndeshje dhe morën sinjale pozitive nga ekipi kuqezi.
Pas Kombëtares U-15, edhe përfaqësuesja shqiptare U-19 zbriti në fushë. Lucije Gjini, ish-futbollistja e Kombëtares shqiptare, e cila ka marrë timonin e përfaqësueses shqiptare U-19 debutoi me fitoren 2-1 kundër Kinostudios. Ky është testi i parë i Kombëtares U-19, që gjithashtu do të luajë ndeshjet e raundit të parë kualifikues të Kampionatit U-19 në muajin nëntor – dhjetor.
Raundi i parë i këtij turneu do të luhet në vendin tonë në datat 27, 30 nëntor dhe 3 dhjetor dhe Shqipëria do të përballet me Bjellorusinë, Malin e Zi dhe Moldavinë.