Pak muaj më parë ai rinovoi kontratën, një zgjedhje e lindur nga dëshira e tij e madhe për të qëndruar te Milani dhe në këto pushime ai është përgatitur shumë.
Në postimet e verës, Rafael Leao shihet duke u stërvitur me përgatitësin atletik Fransisko Martins, duke punuar shumë e duke shfaqur një formë për t’u pasur zili. Fizik mbresëlënës e gati për Champions do të thoshte dikush.
DËSHIRA – Pushime në Lisbonë, Majorka dhe Meksikë duke menduar për “Milanello”-n. Jeta është e çuditshme, por ja që sot do t’u rikthehet stërvitjeve me shokët, paçka se në këto 4 javë pushime ka dokumentuar punën e tij fizike personale edhe në rrjete sociale. Te Milani sulmuesi do të rigjejë skuadrën dhe Piolin, pavarësisht se do të ndiejë mungesën e Paolo Maldinit, por edhe të një miku si Sandro Tonali, zgjedhja e të cilit për të shkuar te Njukasëlli e pati habitur jo pak.
Risi për portugezin do të jetë fanella. Ai ka ndërruar 17 me 10, që deri dy muaj më parë qëndronte mbi supet e Brahim Diazit, një tjetër i larguar, megjithëse edhe më i pritshëm në këtë vengim. Sidoqoftë, Rafa është gati për vrapime e driblime, teksa në një deklaratë për “La Gazzetta dello Sport” ka thënë: “Kam shumë dëshirë për të pasur një sezon të mirë e për të dhënë gjithçka me fanellën kuqezi dhe me numrin e ri. Ndihem gati, sepse më kanë munguar ndeshjet dhe brohorimat e tifozërisë. Jam i lumtur dhe do të vijoj të luaj në një klub të cilin tashmë e konsideroj si një familje të dytë”.
PO MERKATO? – Te Milani do të ketë disa fytyra të reja e të tjera besohet se do t’u bashkohen në ditët në vijim, pasi merkatoja kuqezi nuk është e mbyllur. Do të ketë largime, e për pasojë edhe afrime. I pyetur mbi lëvizjet e klubit në merkato, 24-vjeçari deklaroi: “Kam bërë disa ditë pushime me familjen e më pas me miqtë, por asnjë ditë nuk kam ndalur stërvitjet individuale. Mendoj se kam punuar siç duhet dhe jam gati për të nisur sezonin me ekipin, por me thënë të drejtën nuk e kam pasur shumë mendjen te merkatoja. Kam menduar të relaksohem më së shumti pas një sezoni tejet të lodhshëm. Gjatë gjithë kësaj kohe kam folur shpesh me shokët e skuadrës dhe me Piolin e nga të gjithë kam ndierë një lloj energjie pozitive”.
OBJEKTIVAT – Pas një muaji do të nisë Seria A, teksa “Djalli” do ta nisë sezonin e tij me sfidën kundër Bolonjës, që do të mbyllë javën e parë. Sivjet tifozët presin shumë dhe Leao ka ndërmend të respektojë pritshmëritë. Të tija, por sidomos ato të tifozëve, që edhe në këto ditë të nxehta vazhdojnë t’i dërgojnë mesazhe dashurie. “Tifozët më kanë qëndruar gjithmonë pranë, por edhe si skuadër nuk e kemi ndierë kurrë mungesën e mbështetjes së tyre. Personalisht kam marrë shumë mesazhe vlerësimi dhe dashurie, e mezi pres t’ua shpërblej me rezultate dhe mundësisht gola. Do të jetë një sezon i gjatë e shpresoj të marrim frytet maksimale të punës sonë”, përfundoi numri i ri 10-të i Milanit.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL