Synon të jetë edhe më e mirë në edicionin 2025-2026 në Superligën e Kosovës në basketboll.
Valbona Bytyqi kishte befasuar të gjithë, për faktin se pasi që ishte përshendetur nga loja aktive sërish iu rikthye parketit.
Përkundër se ka 37 vite është në formë dhe po jep maksimumin si basketbolliste e Penzës së Pejës.
Valbona mes lojtareve
Valbona thotë se ka disa plane para vetes për të ardhmen.
“Bota sot”: Pas nje kohe, pas përshendetjes nga basketbolli aktiv, sërish ktheheni si lojtare, përse?
Valbona Bytyqi: Rikthimi im erdhi nga një ndjenjë e fortë pasioni dhe mungese për lojën.
Basketbolli është pjesë e identitetit tim, dhe ndjeva që ende mund të kontribuoj, si për veten, ashtu edhe për ekipin.
“Bota sot”: Si e sheh veten Valbona në edicionin e ri përkatlsisht në vjeshtë?
Valbona Bytyqi: E shoh veten të motivuar dhe të përkushtuar. Edhe pse në moshë më të madhe, përvoja ime është një aset i vlefshëm për ekipin, sidomos në faza të rëndësishme të sezonit.
“Bota sot”: Me Vetdëshirë u rikthyet në fushën e lojës apo të detyruan?
Valbona Bytyqi: Ishte një vendim personal. Nuk ka pasur presion nga askush. Thjesht ndjeva që ende kam për të dhënë në parket.
“Bota sot”: Sa është vështirë për ju, një nënë me dy fëmijë, që të jetë aktive si basketbolliste kur dihet se tani numëroni 37 vite moshë?
Valbona Bytyqi: Është sfiduese, por jo e pamundur. Çelësi është menaxhimi i kohës dhe mbështetja nga familja. Fëmijët më motivojnë çdo ditë që të jem më e fortë.
“Bota sot”: A ka rritje të nivelit të basketbollit femëror?
Valbona Bytyqi: Po, ka përparim. Ka më shumë talente të reja, investime dhe interesim. Por ende ka shumë hapësirë për zhvillim profesional dhe organizativ.
“Bota sot”: A do të jesh edhe trajnere dhe basketbolliste në të njëjtën kohë?
Valbona Bytyqi: Po, është një rol i dyfishtë, por i menaxhueshëm. Të qenit trajnere më ndihmon të kuptoj më mirë lojën edhe si lojtare, dhe anasjelltas.
“Bota sot”: Çka i duhet Penzës për në vjeshtër?
Valbona Bytyqi: Penzës i duhet stabilitet, bashkëpunim mes lojtareve, dhe pak përforcime strategjike në pozita kyçe për të pasur një sezon të suksesshëm.
“Bota sot”: A paguheni si lojtare, ia ka vlejtur rikthimi?
Valbona Bytyqi: Po, paguhem, por më e rëndësishme për mua është dashuria për lojën. Rikthimi ia ka vlejtur plotësisht – emocionalisht, sportivisht dhe personalisht.