Pas humbjes së dhimbshme së Kombëtares së Kosovës me rezultat 0-1 ndaj Turqisë në finalen e “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, një moment i veçantë ka tërhequr vëmendjen në stadiumin Fadil Vokrri.
Mesfushori Valon Berisha është parë duke marrë një copë dheu dhe bari nga fusha, një gjest simbolik që shpesh lidhet me lamtumira të mëdha në futboll. Ky veprim ka ngjallur menjëherë reagime dhe spekulime se ai mund të jetë drejt fundit të karrierës së tij me Kombëtaren e Kosovës.
Berisha, një nga figurat më të rëndësishme të Dardanëve ndër vite, ka qenë pjesë kyçe e rrugëtimit të ekipit nga pranimi në UEFA dhe FIFA, duke kontribuar në shumë ndeshje historike dhe duke qenë një lider në mesfushë.
Edhe pse nuk ka ende një deklaratë zyrtare nga ana e tij, gjesti i bërë në fushë pas ndeshjes ka lënë të kuptohet se mund të jetë një lamtumirë emocionale nga fanella e Kosovës.
Nëse kjo konfirmohet, atëherë Kombëtarja e Kosovës do të humbasë një nga lojtarët më të përkushtuar dhe simbolikë të saj ndër vite.
Ndryshe, 33-vjeçari i Zurichut me fanellën e Kosovës ka zhvilluar gjithsej 54 ndeshje, duke shënuar edhe katër gola dhe pesë asistime, por do të mbahet mend gjithmonë për golin e parë zyrtar të Kosovës në ndeshje kualifikuese, të shënuar në ndeshjen ndaj Finlandës.