Varësia nga lojërat e fatit ka qenë fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur në jetë Nikolo Faxholit deri më tani.
Ai pati shumë probleme, e madje edhe u dënua për shkak të skedinave të vendosura. Megjithatë, tashmë, në një moment tjetër të jetës së tij, Faxholi rrëfen gjithçka përmes një dokumentari ku me lot në sy tregon nga fillesat, e deri te momenti i rikuperimit të tij.
FILLESAT- “Fillova të luaj disa baste me miqtë kur isha 16 vjeç, ishte një mënyrë idiote për të kaluar kohën. Me kalimin e viteve u përkeqësua sepse filloi të bëhej gjithnjë e më e shpeshtë, saqë ngrihesha me dëshirën për të vendosur skedina. Në U23 fillova të luaja më shumë para sesa normalisht. Në fillim nuk luaja për të fituar para, por për adrenalinën që më jepte. Kur isha te Kremonese isha infektuar me ‘Covid-19’, zgjati 25 ditë dhe kalova shumë kohë në shtëpi. Në atë periudhë ishte bërësi një proces automatik për mua dhe fillova të kuptoja se mund të kisha disa probleme. Shkova në qendra për të folur me dikë për lojërat e fatit dy ose tri herë, por mua nuk më dukej shumë e dobishme. Mendova se nuk kisha nevojë për njerëz të specializuar për të dalë nga kjo situatë. Fillova të kuptoja se mund të ishte diçka e rëndë në shtator të 2022, në sezonin në të cilin u ktheva te Juvja. Shumat që vija bast po bëheshin gjithnjë e më të mëdha, ashtu si edhe problemet. Nuk doja ta pranoja me veten dhe vazhdova 6-7 muaj. Herë pas here kam fituar, por kam kompensuar atë që kam humbur. Në rastin më të keq kam kaluar deri në 12-13 orë në telefon, as që e vija re. Më dukej si një flluskë me veten, më folën dhe pas një ore harrova çfarë më kishin pyetur apo thënë”.
ZBULIMI- “Në mëngjes bie zilja e derës dhe shoh Policinë jashtë me rroba civile. Ata donin të flisnin me mua. I telefonova nënës. E dija se kisha një sëmundje, por nuk doja ta pranoja me veten sepse doja ta fshihja nga njerëzit e tjerë”, shprehet Faxholi, i cili flet më pas edhe nga vendi ku ka kryer terapi. “Është më e vështirë të jesh këtu përballë tyre sesa në fushë për mua. Kur luaj përballë 40 mijë njerëzve është një emocion shumë i fortë sepse është ajo që kam ëndërruar që kur kam qenë fëmijë…”. Më pas ai pyetet se çfarë e shtyu një djalë që ka gjithçka të luajë skedina dhe ai përgjigjet: “Pyetje e mirë, këtë ia bëj edhe vetes. Le të themi se ne futbollistët kemi shumë kohë të lirë pas stërvitjes dhe e kam përdorur në mënyrë të gabuar. Mendoj se kjo është arsyeja pse rashë në këtë gjendje”.
PROBLEMET- “Depresion? Në një periudhë të caktuar, po. Unë ndihesha bosh. Luaja futboll të dielave, por më pas nuk bëja asgjë dhe i kushtoja pak rëndësi asaj që duhej të bëja. Në fushë mendoja për skedinat, edhe pa vetëdije. Humbja ndonjë pasim ose një asistim të thjeshtë, dhe i thosha vetes: ‘Shiko, ti i bën këto gabime sepse po mendon për gjëra të tjera jashtë’. Mua me të vërtetë më pëlqen të luaj sport dhe mendoj se kjo ishte pika ime më e rëndësishme. Në fushë jam shumë i sigurt për veten time. Jashtë është më e komplikuar”.
DËNIMI– Ishin 7 muaj agoni dhe çdo ditë vendosja një kryq në kalendar. Pak nga pak, ndërsa afrohej dita e rikthimit, isha gjithnjë e më shumë mosbesues për atë që po ndodhte. Mezi prisja. Me Monzën, në shtëpi, ishte një emocion i mrekullueshëm. E di që kam bërë një gabim. Hodha poshtë dy vjet nga jeta ime, paratë e mia, koha me familjen time… Gjithmonë kam luftuar t’u tregoj të gjithëve, por më shqetësonte vërtet nëse ata e zbulonin.”
FAMILJA- “Unë e dua familjen time, po aq sa ata më duan mua. I kam shumë borxh dhe më vjen keq që kanë vuajtur disa nga problemet e mia për shkak të kësaj situate. Kur je fëmijë, të moshuarit duhet të dëgjohen. Dikush më tha: ‘Shiko, nëse vë baste mund të bëhet sëmundje’. Unë qesha me të, por ai kishte të drejtë. Duhet të dëgjosh dhe të flasësh për këtë”, tha ndër të tjera Faxholi.
PANORAMASPORT.AL