Me vetëm shtatë podiume në 24 gara, të cilat u siguruan të gjitha nga Charles Leclerc (plus një fitore e garës sprint në Kinë me Lewis Hamilton), Ferrari e ka mbyllur vitin 2025 me një rezultat të ulët. Ka qenë një vit për t’u harruar për “kokëkuqen” në çdo aspect. Vështirësitë e dukshme në pistë u përkeqësuan nga keqkuptimet në komunikim dhe qortimet publike, si ajo e presidentit John Elkann në lidhje me pilotët.
Që nga entuziazmi i shkurtit, morali i ekipit ka rënë gradualisht, por drejtori i ekipit Frederic Vasseur siguron se fabrika është plotësisht e përkushtuar. Dhe pilotët po bëjnë gjithashtu pjesën e tyre, me kritika që francezi i beson se janë konstruktive dhe të nevojshme për rritjen e ekipit përpara vitit 2026.
“Ne vazhdojmë të ecim përpara. Do të shkatërrohesha nëse pilotët do të më thoshin se po bëjmë një punë të mirë. Përmbledhja e sezonit për një pilot është gjithmonë gjetja e vendeve ku mund të përmirësohemi”, tha Vasseur.
Më tej, ai shtoi: “Nuk jam këtu për të thënë se po bëjmë një punë të mirë. Është në ADN e tyre dhe në ADN time të luftoj me ekipin për të bërë një punë më të mirë. Ata duhet të vijnë tek ne dhe ta shtyjnë ekipin deri në limit kudo”.
“Reagimet e tyre në TV? Nuk u kushtoj vëmendje, flasin pesë minuta pas garës dhe ndonjëherë emocionet dalin në pah. Gjëja më e rëndësishme për mua është të kem një pilot që e shtyn ekipin të bëjë një punë më të mirë, të punojë së bashku dhe të përpiqet të arrijë rezultate më të mira”, deklaroi francezi.
“Nuk ka rëndësi nëse je në vendin e parë apo të dhjetin, mendoj se diskutimi në çdo ekip për fitoren është i njëjtë. Ne thjesht po përpiqemi të bëjmë një punë më të mirë në çdo shtyllë të performancës: Të gjithë duhet të shtyjmë përpara“, tha Vasseur.


