Në 24 garat e sezonit të kaluar në Formula 1, të parin me Ferrari, piloti britanik Lewis Hamilton nuk arriti asnjëherë të ngjitej në podium. 7 herë kampioni i botës e përfundoi kampionatin në vendin e gjashtë, 86 pikë pas shokut të skuadrës Charles Leclerc.
Prandaj, viti 2025 ishte një “garë” për t’u harruar për anglezin, i cili shpesh pas garave e bëri të qartë zhgënjimin e tij. Hamilton sqaroi se do të pushonte mirë këtë dimër para se të kthehej për testet e para: “Nuk dua të flas me askënd. Do ta hedh telefonin tim dhe do të jem i paarritshëm.”
Drejtori i ekipit Frédéric Vasseur, duke komentuar situatën me Hamilton vitin e kaluar tha: “Nëse eliminohesh në Q1, shpreson që piloti të jetë jashtëzakonisht i zemëruar me veten dhe ekipin“.
“Unë e respektoj plotësisht qëndrimin e pilotëve që sillen në këtë mënyrë. Gjëja më e rëndësishme për mua është që dikush të punojë me ekipin. Është shumë më mirë të kesh dikë që flet me inxhinierët dhe kërkon zgjidhje”, shtoi francezi.
Më tej, Vasseur komentoi: “Ky është qëndrimi që kishte Lewis, edhe në momentet e vështira të pjesës së fundit të sezonit dhe kjo i jep ekipit energji pozitive.”


