Trajneri i Dritës, Akis Vavalis thotë se Viktoria Plzen është favorite por premton se do t’i shkaktojnë telashe çekëve.
Drita do të përballen me Viktoria Plzen për ndeshjen e tyre të parë në raundin e dytë në Ligës së Konferencës.
Në prag të ndeshjes foli edhe trajneri i ekipit, duke i cilësuar çekët si favorit.
“Nesër ballafaqohemi me një kundërshtar shumë të mirë. Viktoria është klub me histori të madhe që luan pothuajse çdo vit në grupe të garave evropiane. Vitin e kaluar ka arritur shumë suksese dhe shumë ekipe të mëdha kanë hasur në vështirësi kundër Viktorias. E respektojmë shumë Viktorian dhe e dimë që ata janë favoritët në këtë ndeshje. Por edhe klubi ynë Drita po luan çdo vit në kualifikime të garave evropiane dhe i ka shkaktuar telashe shumë skuadrave të mëdha këtë e presim edhe nesër, të kemi një paraqitje shumë të mirë”, tha trajneri.
Ndeshja e parë mes skuadrës çeke dhe kosovare zhvillohet më 27 korrik në Çeki, kurse më 3 gusht në ‘Fadil Vokrri’./Lajmi.net/