Sikur të mos mjaftonin problemet sportive, me fundin e ciklit të Stefano Piolit, Milani po përballet me çështje delikate edhe jashtë fushës së lojës, Federata Italiane nuk ka mbyllur ende hetimet e saj rreth çështjes së dokumenteve që kanë dalë në skenë, të cilat aludojnë se në fakt “Red Bird” nuk është pronari i vërtetë i kuqezinjve, pro mbetet përsëri “Elliot” i tillë.
Furlani dhe Gazidis janë marrë në pyetje nga hetuesit federalë, por për momentin nuk ka asnjë njoftim rreth një mase të mundshme. Megjithatë, mediat italiane bëjnë të ditur se dokumente të ndryshëm të cilët janë sekuestruar nga Guardia Di Financa gjatë bastisjes së muajit të kaluar, kanë nxjerrë në plan të parë disa skenarë të ndryshëm.
“La Reppublica” bën të ditur se një dokument tregon se “Red Bird” nuk është pronari real i Milanit, por klubi i përket tashmë një fondi investimi me seli në Holandë. Ndërkohë, “Corriere Della Sera”, sqaron se si një prezantim për investitorë potencial arabë, i përgatitur nga një menaxhere e “Red Bird”, Elizabeth Ouen, tregon se si “Elliot” kontrollon përsëri Milanin.
Sipas këtij dokumenti, investitorëve potencialë nuk u ofrohen realisht aksione të Milanit, por pjesë “të borxhit që “Red Bird” ka ndaj “Elliot”. Zyrtarë aktual të Milanit gjithashtu me sa duket kanë ende dyshime sa i përket rolit të “Elliot” në klub meqë aty janë ende emra si Skaroni e Furlani.
Milani nuk rrezikon gjë në aspektin penal, por mund të rrezikojë në atë sportiv për “shkelje në çështjet e administrimit dhe të menaxhimit”. Në bazë të rregulloreve, ndëshkimet nisin nga gjobat te heqja e pikëve dhe deri te përjashtimi nga kampionati në rast se shkeljet vlerësohen shumë të rënda.
PANORAMASPORT.AL