Pasi nuk ia doli të siguronte mbijetesën në elitë, te Kukësi ka nisur “eksodi” i lojtarëve, teksa i radhës është Franko Lamçe.
Mbrojtësi ka njoftuar largimin e tij nëpërmjet rrjeteve sociale duke falenderuar klubin dhe tifozët.
“Pas 1 viti e gjysmë me Kukësin, është koha për të thënë mirupafshim. Prej ditës së parë dhashë gjithçka për shokët dhe skuadrën.
Dua të falënderoj klubin dhe tifozët për mbështetjen. I uroj më të mirat në të ardhmen. Faleminderit!”– shkruan Lamçe.
25-vjeçari zhvilloi 31 ndeshje me “verilindorët” gjatë këtij sezoni në Kategorinë Superiore, teksa ishte një nga protagonistët e rrugëtimit të Kukësit deri në finalen e Kupës.