Ka ndërruar jetë Remzi Blakqori!
Ikja e tij në amshim është humbje e madhe për futbollin e Kosovës.
“Me pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Remzi Blakqorit, një emër i njohur për komunitetin e futbollit, veçanërisht në periudhën më të vështirë të historisë sonë, vitet e ‘90-ta.
Në kohë kur sporti zhvillohej nën trysninë e okupimit, në mungesë të kushteve minimale dhe përballë pasigurisë së madhe, Remzi Blakqori nuk e ndali kurrë dashurinë për futbollin.
Ai qëndroi gjithmonë pranë fushës së gjelbër dhe brezave të rinj.
Për shumë vite ishte pjesë e kryesisë së KF Elektroekonomia të Obiliqit (tash FC KEK-u) dhe financues, duke dhënë kësisoj kontribut të jashtëzakonshëm në mbajtjen gjallë të futbollit në kohë okupimi.
Humbja e tij nuk është vetëm dhembje për familjen e ngushtë dhe miqtë, por për gjithë komunitetin sportiv në Kosovë. Ai ishte shembulli i njeriut që jetoi me dhe për futbollin.
Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, Komitetit Ekzekutiv dhe gjithë komunitetit të futbollit, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Blakqori dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, ka shprehur ngushëllime Agim Ademi, president i FFK-së.