Ish-boksieri portorikan Prichard Colon ka vdekur në moshën 33-vjeçare, gati 11 vjet pasi pësoi një dëmtim katastrofik në tru gjatë një meçi boksi.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar babai i tij, Richard Colon, përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas raportimeve, Colon ndërroi jetë të enjten, më 13 gusht.
“Bëra gjithçka që ishte e mundur për ta përmbushur dëshirën e tij, ëndrrën për ta sjellë në pushime në Puerto Rico, aq sa e dëshironte”, ka shkruar babai i tij.
Colon ishte një prej boksierëve më premtues portorikanë të gjeneratës së tij. Para meçit fatal në vitin 2015, ai kishte një bilanc të pamposhtur prej 16 fitoresh, 13 prej tyre me nokaut.
Më 17 tetor 2015, Colon u përball me amerikanin Terrel Williams në një meç në kategorinë super të lehtë.
Gjatë përballjes, Colon u ankua disa herë për goditjet në pjesën e pasme të kokës, të njohura në boks si “rabbit punches” dhe të ndaluara nga rregullat.
Williams u ndëshkua me humbje të një pike për goditjet e palejuara. Colon u rrëzua dy herë në raundin e nëntë, ndërsa meçi përfundoi me skualifikimin e tij pasi këndi i tij ia hoqi dorezat, duke menduar se përballja kishte përfunduar.
Pas meçit, Colon u rrëzua në dhomën e zhveshjes dhe u dërgua me urgjencë në spital. Atje u diagnostikua me një hematomë subdurale, pra gjakderdhje të rëndë në tru, dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale.
Ai qëndroi në koma për 221 ditë dhe, edhe pas zgjimit, nuk arriti të rikthehej në gjendjen e mëparshme. Për vite me radhë ai kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe nuk mund të ecte apo të fliste në mënyrë të pavarur.
Në vitin 2017, familja Colon ngriti një padi prej më shumë se 50 milionë dollarësh ndaj mjekut të ringut, Richard Ashby, si dhe promovuesve të meçit, duke pretenduar se dëmtimi mund të ishte parandaluar nëse do të ishin ndërmarrë masat e duhura mjekësore.
Rasti lidhej me pretendimet se Colon kishte shfaqur shenja të problemeve neurologjike gjatë meçit, përfshirë dhimbje në kokë dhe marramendje, por ishte lejuar të vazhdonte përballjen.
Bota e boksit ka reaguar me mesazhe ngushëllimi pas vdekjes së tij. Organizata Botërore e Boksit (WBO) e përshkroi Colonin si një “luftëtar deri në fund”, duke vlerësuar guximin dhe forcën e tij gjatë viteve të betejës pas lëndimit.
Historia e Prichard Colon u shndërrua në një nga rastet më të dhimbshme të boksit modern, duke ngritur ndër vite edhe shqetësime të mëdha për sigurinë e boksierëve dhe trajtimin e dëmtimeve në kokë.