Tuesday, 7. April 2026
Sport

Vdiq trajneri legjendar rumun, Mircea Lucescu

GS 07/04/2026 2 Min. Lesezeit

Trajneri legjendar rumun, Mircea Lucescu, ka vdekur në moshën 80-vjeçare të martën rreth orës 20:30.

Njoftimin për vdekjen e Lucescut, e bëri të ditur Spitali Universitar i Bukureshtit.

“Z. Mircea Lucescu ishte një nga trajnerët dhe lojtarët më të suksesshëm rumunë të futbollit, i pari që kualifikoi ekipin kombëtar rumun për një Kampionat Evropian, në vitin 1984. Breza të tëra rumunësh u rritën me imazhin e tij në zemrat e tyre, si një simbol kombëtar. Zoti ia prehtë shpirtin”, thuhet në njoftimin për shtyp të lëshuar nga Spitali i Urgjencës Universitare të Bukureshtit.

Lucescu pak ditë më parë ishte në stolin e ekipit të Rumanisë në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026 kundër Turqisë. Rumania e humbi 1:0 ndeshjen. Pas kthimit në Rumani, gjendja shëndetësore e Lucescut ishte përkeqësuar. Ai kishte humbur ndjenjat gjatë stërvitjes për ndeshjen miqësore kundër Sllovakisë më 31 mars.

Ai ishte në gjendje kome. Të martën u njoftua për vdekjen e tij.

Më 2 prill, Federata e Futbollit e Rumanisë njoftoi se kishte ndarë rrugët me përzgjedhësin ikonik.

Lucescu në krye të Rumanisë ishte rikthyer në vitin 2024. Lucescu e ka drejtuar Rumaninë si selektor edhe më herët. Ai punoi te Rumani nga viti 1981 e deri në vitin 1986.

Lucescu është prej trajnerëve më të mëdhenj që ka ardhur në stadiumin në Prishtinë. Ka drejtuar Rumaninë në dy ndeshjet kundër Kosovës në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Rumania i fitoi dy ndeshjet. Të parën në Prishtinë më 6 shtator, Rumania e fitoi 3:0, ndërsa me rezultat zyrtar 3:0 e fitoi edhe ndeshjen në Bukuresht më 15 nëntor.

Pas disa përplasjeve të lojtarëve në fushë, një grup i tifozëve rumunë nisën thirrjet “Serbia, Serbia”. Lojtarët e Kosovës vendosën të lëshojnë fushën dhe nuk u kthyen edhe kur këtë ua kërkoi gjyqtari i ndeshjes. Ndeshja ishte ndërprerë në minutat e fundit kur rezultati ishte 0:0.

Menjëherë më 20 nëntor 2024, UEFA e regjistroi ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë. Edhe CAS në maj të vitit të kaluar vendosi njëjtë si UEFA. Rezultati 3:0 në të mirë të Rumanisë mbetet në fuqi.

Teilen: